Topalli-Marles: Suksesi ekonomik, inkurajim për investitorët australianë
Tiranë- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti sot në një takim zv/ministrin e Jashtëm të Australisë, Richard Marles.
Dy zyrtarët e lartë ndanë të njëjtin mendim se takimi i sotëm është një pikënisje për forcimin e marrëdhënieve dhe rritjes së bashkëpunimit në të gjitha fushat mes dy vendeve.
Kryetarja e Kuvendit njohu zv/ministrin Marles me reformat dhe investimet që qeveria shqiptare ka bërë në infrastrukturë, turizëm, dixhitalizim, e veçanërisht në fushën e ekonomisë ku dhe shprehu interesin për nxitjen e investimeve australiane në vendin tonë.
Zyrtari australian, Marles tha: Ju keni një histori të mirë ekonomike për tia treguar vendeve të Europës por edhe më gjerë. Keni shumë për të thënë mbi këtë sukses dhe ky është një oportunitet për të cilin edhe investitorët australianë duhet të inkurajohen”.
Topalli e ka falenderuar zotin Marles për mbështëtjën që Australia i ka dhënë vendit tonë për anëtarësimit në NATO dhe ka theksuar se Shqipëria tani është e orientuar drejt integrimit europian.
Juxhin Mustafaraj/IDEA/