E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Kuvendin kosovar sërish mungon kuorumi për votimin e PTK-së

PRISHTINË-Shtyhet përsëri votimi i Raportit të Komisionit Qeveritar për Privatizimin e 75% të aksioneve të PTK-së, që ishte sot në axhendën e Kuvendit të Kosovës, në vazhdim të seancën plenare të 12 shtatorit, e cila, pas diskutimeve për këtë raport, ndërpreu punimet në mungesë të kuorumit.

Vazhdimi i seancës që në fillim u pasua me pauzë, në mungesë kuorumi për votim dhe Kuvendi u mblodh përsëri rreth mesditës, por përsëri mungesa e kuorumit pamundësoi votimin.

"Përkundër faktit se herën e fundit ne kemi votuar kundër raportit të Qeverisë, duhet sqaruar se e kemi mbështetur procesin e privatizimit në parim si aleancë", tha Kryetari i grupit parlamentar të AAK, Adrian Gjini. Sipas tij, është e palogjikshme që koalicioni qeverisë mos t’i ketë 61 deputetë në sallë dhe të presë prej një partie në opozitë që ta bëjë kuorumin. “Prandaj, nëse nuk i ka 61 deputetë Qeveria, Aleanca nuk do jetë prezente në sallë”, tha Gjini.
AAK herën e kaluar ishte në sallë, por votoi kundër, kujtoi ai.

Largimi nga seanca si edhe herën e kaluar i grupeve parlamentare të LDK-së dhe Vetëvendosjes, e sot edhe i AAK-së, si dhe mosprania e disa deputetëve të tjerë, bëri që Kuvendi kosovar 120 anëtarësh të mos e ketë kuorumin.

Në 16 shtator, në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, përfaqësuesit e tre grupeve parlamentare opozitare (LDK, VV dhe AAK) kanë mbajtur qëndrim që gjithë procesi i privatizimit të PTK-së ka qenë kundërligjor dhe se çështja nuk duhet shtruar fare në Kuvend.

Në seancën e re të sotme të Kuvendit, që pritet të nisë pasdite, deputetët do të shqyrtojnë Projektligjin për ratifikimin e neneve të Marrëveshjes Themeluese të Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës dhe anëtarësimin e Kosovës në BZHKE, si dhe Projektligjin për investimet e huaja.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›