Në Madrid, për fitore

Mesfushori spanjoll, Andres Iniesta, thotë se Barcelona do të hyjë për fitore në ndeshjen e parë të Superkupës së Spanjës kundër Real Madridit, e cila zhvillohet në fundjavë, në stadiumin Santiago Bernabeu. Ai e sheh këtë trofe si mundësi të mirë për ta filluar pozitivisht sezonin.
Sezonin që shkoi, klubi katalunas e humbi ndeshjen e parë të Superkupës ndaj Sevillës 3:1, por u kthye në lojë në duelin e kthimit, për të fituar 5:3 në përballjen e dyfishtë. Kampioni spanjoll nuk e pati kushedi çfarë faze përgatitore. Ky ekip fitoi vetëm dy takime, ndaj Bayern Munich e Club Americas. Barça barazoi me Hajduk Split e Internacional, para se të humbte nga Manchester United e Chivas Guadalajara.
Për dallim nga rivalët historikë, Real Madridi pati një fazë fantastike para-sezonale duke i fituar të gjitha ndeshjes. Sidoqoftë, Iniesta beson se një fitore në Madrid do t’i jepte avantazh ekipit të tij, për lojën e kthimit.
“Shpresoj që Superkupa e Spanjës këtë vit të mos jetë si sezonin që shkoi. Ne dëshirojmë të kemi paraqitje të mirë në ndeshjen e parë, kështu që më pas do ta kishim më lehtë në takimin vendimtar. Nuk po mendojmë për humbje në Bernabeu. Dëshirojmë të fitojmë në duelin e parë. Kemi punuar fort për t’u përgatitur për këtë lojë. Jemi të motivuar për ta fituar trofeun e parë të sezonit dhe po shkojmë atje për fitore”, theksoi Iniesta për EFE.