Young Trafford
Kjo është gjenerata e re e Manchester Unitedit, e gatshme ta rrëmbejë Premierligën si një stuhi. Menaxheri i ekipit nga Old Trafford, Sir Alex Ferguson i befasoi të gjithë të dielën në stadiumin Wembley, duke inkuadruar në lojë futbollistë të rinj me bollëk, të cilët triumfuan në Community Shield ndaj komshinjve të Manchester Cityt.
Ai besoi në lojtarët e rinj si Tom Cleverley, Phil Jones e Danny Welbeck. Ata u përgjigjën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke shfaqur lojë të shkëlqyeshme. Fergie po i shton shumë e më shumë talentet e reja në ekipin e tij. 69-vjeçari mund të mburret me gjeneratën e re, e cila e përbën njërin prej ekipeve më të reja në Premierligë.
E jashtëzakonshme. Secili lojtar është më i ri se 24 vjet, nëse nuk llogariten lojtarët si Wayne Rooney, Rio Ferdinand ose Nemanja Vidic, por edhe Ashley Young, i cili është 26 vjeç, e që iu bashkua këtij ekipi këtë verë nga Aston Villa.
Mirëpo, me lojtarët si Nani, i cili ishte yll i Wembleyt dhe Javier Hernandez, në një formë të shkëlqyeshme, kush ka nevojë për veteranë? Nëse ua shton këtyre dyve yjet e reja si Chris Smalling, David de Gea dhe binjakët Da Silva, United mund të ndihet ekip i rinuar. Djelmoshave të rinj anglezë si Cleverley e Welbeck, pritet t’u ofrohet kontratë e re dhe ata do të kenë minutazh më të madh këtë sezon.
Cleverley, 21, aktualisht paguhet 15 mijë funte në javë në Old Trafford dhe shpreson t’i dyfishohet ajo, në kontratën e re. Welbeck, i cili ishte huazuar në Sunderland vitin që shkoi. Ai ka kontratë edhe dy vjet me ‘Djajtë e Kuq’, por shpejt pritet ta vazhdojë atë.
Kjo nuk është hera e parë që Fergusoni po e ndërton një dinasti. Një gjë të tillë e bënte me Beckham, Scholes, Giggs, Neville e Butt, në epokën e legjendave të Old Traffordit. Patrice Evra bën pjesë në ‘brigadën e vjetër’ të Man Utd. Ai është 30 vjeç dhe pajtohet se ‘brigada e re’ vetëm se ka filluar të vihet re.
“Ata ishin shumë të mirë, të gjithë lojtarët e rinj. Ata duhet ta tregojnë veten dhe ta vërtetojnë se meritojnë të luajnë për Man United. Ata po e bëjnë këtë dhe jam mjaft i lumtur për ta. Në fazën përgatitore të gjithë ishin fantastikë dhe ekipi ua dha një mirëseardhje të madhe. Lojtarët si Tom Cleverley janë të mirëseardhur, por edhe të tjerët”, deklaroi mbrojtësi i majtë francez.
Ky është ekipi i ri i ëndrrave i Fergusonit, me formacionin 4-3-3: David De Gea, Rafael, Chris Smalling, Phil Jones, Fabio, Nani, Anderson, Tom Cleverley, Javier Hernandez, Federico Macheda, e Danny Welbeck.