E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Maqedoni mungon pluralizmi mediatik

Nga Express më 05 korrik 2011 në ora 12:52

Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medieve, Dunja Mijatovic, ka shprehur shqetësime në emër të organizatës lidhur me gjendjen e tri medieve që u mbyllën për shkak të mospagesës së tatimeve, si dhe për shkak të largimeve të të punësuarve nga gazeta "Utrinski".

Ajo bëri thirrje që vendi të zbatojë parimet e drejtësisë në zgjidhjen e këtyre rasteve.

"Gazetat Vreme, Shpic, dhe Koha e Re nuk dolën nga shtypi. Ky është një zhvillim shumë shqetësues, që praktikisht brenda natës e eliminon pluralizmin dhe qasjet opozitare të shtypit.

Përveç kësaj, edhe një media si Televizioni A1, që përballet me akuzë për tatime, mund të jetë i detyruar për të ndërprerë punën gjatë javëve të ardhshme", ka theksuar Mijatovic.

Sipas saj, derisa mediet duhet patjetër të ndjekin rregullat sikur edhe bizneset e tjera, në këtë rast shihet se mediat janë caqe të pushtetit.

"I bëj thirrje Drejtorisë për të Ardhura Publike të demonstrojë transparencë maksimale në llogaritjen e tatimit që i ka borxh shtetit kompania Plus Produksioni dhe të mundësoj plan të arsyeshëm për pagesën e borxhit që nuk do të bllokonte punën e këtyre medieve", theksoi Mijatovic.

A1 dhe tre gazetat janë në hetime për shmangien e pagesës së tatimeve si dhe për pastrim parash që nga ndërhyrja e inspektorateve shtetërore në fund të vitit të kaluar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›