E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transformers: Dark of the Moon

Edhe pse kritikët për filmin ‘Transformers: Dark of the Moon’ kanë qenë pak si tepër “kritikë”, ekzistojnë 10 arsye përse duhet parë atë. Nga Express më 05 korrik 2011 në ora 12:01

1) Rrëfimi është i bukur. Ai bazohet në njërin prej momenteve më madhështore historike të njerëzimit, zbarkimin e njeriut në hënë (1969), për të krijuar një ngjarje për makinat, por dhe për njeriun. Gara e hapësirës, siç zbulohet, nuk ishte vetëm një shfaqje muskujsh për të kapur yjet, por edhe një garë për zotërimin e rrënojave të një anijeje Autobot, që në brendësinë e saj përmbante një teknologji të huaj, me fuqi si të Zotit.

2) Titulli i filmit është tepër simpatik, ngase asocion në emrin e një albumi mitik të grupit Pink Floyd (Dark Side of the Moon).

3) ‘Transformers: Dark of the Moon’ është film i bërë në 3D. Efektet speciale në të duken të mrekullueshme.

4) ‘Transformers: Revenge of the Fallen’, filmi i dytë i trilogjisë Transformers, ishte ndër filmat më të këqij të bërë ndonjëherë. Madje, atë e shanë edhe vetë aktorët që luajtën në të... Por, kritika mendon se vazhdimi i tretë i ‘Transformers’ është shumë më i mirë se i dyti.

5) Filmi ka përplot skena aksion që ia vlejnë të shihen, sidomos për ata që kanë qenë një herë në Chicago.

6) Prania e bukuroshes Rosie Huntington-Whiteley eliminon lojën monotone të Shia LaBeouf. Ajo e zëvendëson më së miri bukuroshen tjetër, Megan Fox. Nga revista ‘FHM’ modelja britanike Rosie është cilësuar si femra më seksi e vitit 2011.

7) John Malkovich, pavarësisht rolit që ka, nxjerr një portret simpatik.
8) Ken Jeong luan një karakter të mrekullueshëm sikurse ai që e luan në filmin ‘The Hangover’ - pra, ai është vital dhe shkakton të qeshura.
9) Për dy orë e gjysmë, sa zgjatë ky film, ju ndihmojnë që të harroni ilaçin e qetësimit. Pas përfundimit të filmit nuk do t’ju bëjë përshtypje as nëse bie një bombë atomike në lagjen tuaj.

10) Nuk ka një arsye të 10 për ta pëlqyer filmin.

Detaje për filmin

Kur pak kohë para fillimit të xhirimit të filmit, Megan Fox hoqi dorë nga pjesëmarrja, u përfolën shumë aktore në vend të saj. Ndër to ishin Gemma Arterton, Ashley Greene, Brooklyn Decker, Miranda Kerr, Bar Refaeli, Amber Heard, Camilla Belle, Katie Cassidy, Heidi Montag dhe Anna Kendrick. Secila dukej se kishte gjasa, derisa si yll i ri i trilogjisë nuk u përzgjodh Rosie Huntington-Whiteley.

Gjatë xhirimeve në Washington, vetura Chevrolet Camaro e vitit 2011 (Bumblebee në film) u përplas me një njësi policore që ishte njoftuar për bombë në metro. Një polic pësoi lëndime të vogla, ndërkaq ‘Bumblebee’ u dëmtua goxha shumë. Për fat, xhirimet vazhduan, meqë paraprakisht ishin bërë disa kopje të secilit automobil ‘filmik’.

Premiera e filmit ‘Transformers: Dark of the Moon’ u dha në festivalin Ndërkombëtar të filmit në Moskë, në 23 qershor 2011. Atë natë, grupi Linkin Park mbajti një koncert të posaçëm në Sheshin e Kuq të Moskës. Filmi filloi me shfaqjen nëpër kinematë 3D më 28 qershor 2011, megjithëse ai mund të shihet edhe në 2D ose në teknikën konvencionale 3D, ndonëse jo edhe në IMAX 3D.

Ndryshe, kritikët filmin kryesisht e vlerësuan si “të pashpirtë”, duke filluar nga David Germain (i agjencisë AP), i cili thotë se filmi është “edhe një tjetër realizim i zhurmshëm, shumë i zhurmshëm, i shkatërrimeve nga robotët gjigantë që ndërrojnë formë”, e deri tek A.O. Scott (i gazetës ‘The New York Times’), i cili pohoi se “nuk po arrij të vendos nëse ky film është spektakular. Në fakt, nëse është aq ‘i marrë’ sa të përcjellë budallallëqet tek ata që e shikojnë, apo aq brilant sa të çarmatosë çdo arsye. Cila është arsyeja?”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›