Në Mjallby, për zbavitje

Erton Fejzullahu më në fund është kthyer në Mjallby, në formë huazimi. Të gjitha palët janë ndarë të kënaqura nga ky transferim.
Mirëpo, sulmuesi kosovar tregon se kjo ka mundur të ndodhte më herët, por që ekipi i tij, NEC Nijmegen, kishte preferuar ta dërgonte te klubi danez Randers, para Mjallbyt.
“E doja Mjallbyn qysh në dimër, por NEC tha jo, pasi mendonte se kampionati danez ishte më i fortë sesa ai suedez”, thotë 23-vjeçari për të përditshmen suedeze, Kristianstadsbladet.
Por, periudha e kaluar në Randers nuk ishte e mirë për Fejzullahun, ashtu siç e priste. Ekipi danez e trajtoi keq ish-përfaqësuesin U-21 të Suedisë, duke e lënë rezervist të rregullt. “Nuk ishte një periudhë e mirë për mua, nuk dinin se si të silleshin me lojtarët e tyre”, vazhdon ai.
Por, fakti se është rikthyer në Mjallby nuk do të thotë se ëndrra e Fejzullahut për të luajtur në një kampionat më të fortë evropian, ka marrë fund.
“Jo, nuk mendoj ashtu. Nuk e shoh Mjallbyn si mbyllje të një karriere të madhe, por shpresoj të arrij sukses këtu dhe të lëviz. Këtu kam ardhur për t’u zbavitur, për ta shijuar futbollin, pasi në periudhën e fundit nuk kam mundur ta bëj një gjë të tillë”, nënvizoi Fejzullahu.
Ai është i vetëdijshëm se edhe te Mjallby do të hasë në konkurrencë të fortë, por është i bindur se ka cilësi për të luajtur rregullisht dhe për ta rikthyer formën e dikurshme. Fejzullahu në Allsvenskan do t’i gjejë shumë futbollistë shqiptarë, të cilët e vërshuan kampionatin suedez viteve të fundit.
Fejzullahu kishte luajtur në Mjallby në periudhën 2007-2009, ku kishte shpërthyer duke realizuar 24 gola në 59 ndeshje, kur edhe e kishte fituar ftesën në ekipin U-21 të Suedisë.