E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në sulm, ska rrugë tjetër veç fitores

Nga Adi Metaliu

Trajneri Kuzhe do të hedhë në fushë një formacion me tre sulmues, mesfusha në duart e Skelës dhe Lalës

Në orën 19:00 të mbrëmjes së djeshme, përfaqësuesja shqiptare ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në prag të eliminatores me Luksemburgun. Thuajse nuk ka ndryshuar asgjë nga ato çfarë janë shkruar pas ndeshjes me Francës. Shqipëria do të kërkojë patjetër fitoren dhe për ta arritur këtë do të luajë me 3 sulmues dhe me një mesfushë të avancuar. Mungesat e detyrueshme, për arsye dëmtimi dhe kartonësh, nuk i pengojnë kuqezinjtë për tiu afruar në renditje kundërshtarëve të tjerë në grup.

Porta Tashmë portieri titullar i kombëtares shqiptare është Samir Ujkani. 23-vjeçari ka marrë bekimin e drejtuesve pas tërheqjes nga futbolli të Arjan Beqajt, por duhet theksuar se ai akoma nuk e ka vënë autoritetin brenda katërkëndorit. Deklarata e vetë Ujkanit pas ndeshjes me Francës shpreh më shumë: U kërkoj të gjithëve falje për gabimet që kam bërë ndaj Francës. Portieri i Novarës ka shansin të tregojë ndaj Luksemburgut që rolin e titullarit e meriton dhe se të gjithë duhet të kenë besim tek ai edhe për edicionin e ardhshëm.

Mbrojtja Reparti më problematik i kombëtares mbetet ai i mbrojtjes. Lorik Cana dhe Armend Dallku u larguan menjëherë nga Shqipëria pas humbjes 2-1 me Francën, pasi plotësuan numrin dy të kartonëve të verdhë për të mos luajtur ndeshjen pasardhëse. Më fatkeqi ishte Debatik Curri, i cili duhet të qëndrojë disa javë larg fushave të blerta për shkak të një tërheqjeje muskulore. Me një mbrojtje në emergjencë, Kuzhe ka grumbulluar Endri Vrapin, i vetmi që do të qëndrojë në stolin e rezervave. Kristi Vangjeli do të luajë në të djathtë në vend të Dallkut, Veliu në qendër në vend të Canës, ndërsa Agolli do të tërhiqet në mbrojtje në të majtë.

Mesfusha Pikërisht ky repart mbart dilemat më të mëdha të Kuzhes. Shqipërisë nuk mund ti mungojë Altin Lala, më i miri ndaj francezëve, i cili do të mbajë edhe shiritin e kapitenit ndaj Luksemburgut. Kroati nuk heq dorë nga eksperienca. Në mesfushë, përkrah Lalës, do të rreshtohen Skela dhe Duro. Në fakt, ky i fundit është në balotazh me Elis Bakajn, i cili gëzon një formë më të mirë fizike. Nëse Kuzhe vendos të aktivizojë Bakajn, Skela luan në të djathtë të mesfushës. Nëse do të jetë Duro, Skela pritet të kalojë në të majtë.

Sulmi  Dyshja Salihi-Bogdani mbetet e paprekshme. Sulmuesi 34-vjeçar i Çezenës, me formën e shkëlqyer që po kalon mbetet pikë referimi në sulm, ku do të ketë rolin e pykës se parë. Kuzhe ka menduar ti shtojë forcat sulmuese me Edmond Kapllanin, që sikurse Salihi, mbetet lojtar zone. Vlen të përmendim një fakt interesant: Kapllani i ka shënuar tri herë Luksemburgut në eliminatoret e Euro 2008.

Josip Kuzhe: Ska justifikime, duam vetëm tri pikët!

Çdo rezultat tjetër, përveç fitores, do ta komprometonte pozicionin e Kuzhes në krye të  Shqipërisë

Luksemburgu është ndeshja decizive edhe për të ardhmen e trajnerit Josip Kuzhe në krye të pankinës kuqezi. Janë edhe tri eliminatore për tu zhvilluar, për të pasur një mendim më të saktë për punën e Kuzhes, – do të shprehej presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në momentin e nisjes në aeroportin e Rinasit. E para luhet sonte.

Vetëm fitore Ekziston vetëm një pritshmëri për këtë ndeshje në mbarë opinionin sportiv në Shqipëri: skuadra jona përfaqësuese duhet të fitojë në Luksemburg. Presioni më i madh bie mbi trajnerin, pozitat e të cilit janë lëkundur jo pak pas dy humbjeve radhazi, me Bosnjën (2-0) dhe me Francën (2-1). Duhet të luajmë vetëm për fitore ndaj Luksemburgut, skemi alternativë tjetër.

Kundërshtarët tanë mendojnë se mund të na marrim pikë, por ne sduhet tu falim gjë, është shprehur kroati për mediat e pranishme në Luksemburg. I kam parë në DVD ndeshjet e tyre të fundit dhe mund të them se zhvillojnë një lojë shumë të mirë mbrojtëse, por ne jemi të motivuar në maksimum për të marrë tri pikët.

Mungesat  Një skuadër e vogël si Luksemburgu sigurisht që është e prirur të mendojë më shumë për mbrojtjen përballë kundërshtarëve të Grupit D, por trajneri Luk Holtz beson edhe te surpriza. Ai ka grumbulluar 4 sulmues për përballjen me Shqipërinë e sakatuar në repartin e pasmë. Ndeshja me Francën na la me shumë probleme në mbrojtje. Kemi mungesa për shkak kartonësh, por edhe për arsye dëmtimi, siç është Curri.

Jemi munduar që të rregullohemi me lojtarët që kemi në dispozicion, duke mbushur boshllëqet që na janë krijuar. Kam besim te të gjithë lojtarët, pavarësisht mungesave të disa titullarëve, është shprehur kroati, i cili ka grumbulluar Endri Vrapin për ti paraprirë ndonjë problemi tjetër me mbrojtësit.

Edmond Kapllani  Katër ditë më parë, në Qemal Stafa, ndaj Francës, Edmond Kapllani nuk ishte as në stolin e rezervave. Trajneri Kuzhe ka preferuar të mbajë në 18-she Ahmed Januzin e Vorsklës, ndonëse këtij të fundit nuk iu dha mundësia për të dhënë kontribut në fushën e bertë. Përkundrazi, ndaj Luksemburgut Edmond Kapllani do të luajë titullar, ndëra Januzi do të jetë sërish në stolin e rezervave.

Përse ky vendim i Kuzhes? Edmond Kapllani do të luajë titullar. Kam vendosur kështu për një arsye të thjeshtë: mendoj se ai është lojtar zone, pra mund të shënojë në portën e Luksemburgut, ku do të jemi me shumë forca, ka sqaruar Kuzhe. Në stolin e rezervave do të qëndrojë edhe Jahmir Hyka, i cili në pjesën e dytë ndaj Francës tregoi cilësi.

Ditëlindja

Ka festë në kombëtare, Vangjeli mbush 26 vjeç

Presionin e rezultatit me Luksemburgun kuqezinjtë e kanë lënë disi mënjanë pasditen e djeshme, teksa të gjithë kanë qenë të ftuar në festën e ditëlindjes së Kristi Vangjelit. Korçari ka mbushur 26 vjeç dhe ka marrë urimet më të mira nga të gjithë pjesëtarët e kampit kuqezi, që ndodhen Luksemburg.

Vititin e 27-të të jetës së tij ai do ta kalojë me skuadrën ukrainase Çernomorets Odesa, pas nënshkrimit të një kontrate 3-vjeçare. Kristi Vangjeli ishte deri pak ditë më parë një nga lojtarët veteranë të Arisit, pavarësisht moshës relativisht të re. Ai e ka nisur karrierën me të rinjtë e kësaj skuadre, më pas iu bashkua ekipit të parë të Arisit, ku është aktivizuar 7 vite.

 

Bala premton kthesën: Fitojmë me Moldavinë!

Sulmuesi i Tiranës beson te suksesi në ndeshjen e radhës, për të lënë pas humbjen me Poloninë.

Sot, në orën 18:00, në stadiumin Skënderbeu të Korçës, përfaqësuesja e 21-vjeçarëve do të zhvillojë takimin e dytë eliminator për Europianin e 2013-ës. Pas humbjes 0-3 me Poloninë, përballë Shpresës sonë do të jetë Moldavia, e cila bashkë me Shqipërinë renditet e fundit në Grupin 6. Sulmuesi kryesor i Shpresës, shkodrani Bekim Bala, premton një ndeshje tjetër me Moldavinë, ku synimi i vetëm mbetet fitorja: Duhet të tregojmë që humbja me Poloninë ishte rastësore. Ndaj Moldavisë do të kërkojmë patjetër fitoren.

Gabimet Bala këmbëngul që rezultati me Poloninë nuk i përgjigjet lojës që zhvilloi Shqipëria. Kërkimi i golit jo në mënyrën e duhur solli ndëshkimet me anë të kundërsulmeve. U mërzitëm shumë nga humbja e ndjeshjes me Poloninë. Shifrat janë të thella, por nuk tregojnë lojën që kemi zhvilluar. Jemi ndëshkuar me anë të kundërsulmeve të kundërshtarit atëherë kur mendonim se do të shënonim ne. Gjatë këtyre ditëve jemi munduar ti rregullojmë problemet tona dhe mendoj se ndaj Moldavisë do të fitojmë bindshëm, deklaron Bala.

<

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›