Nasri mund të përmirësohet në City

Selektori i Francës, Laurent Blanc beson se Samir Nasri është në formën më të mirë dhe se mund ta arrijë një nivel të ri në Manchester City. Nasri, i cili iu bashkua Cityt nga Arsenali, më parë thoshte se do të preferonte që trajnerët e tij të flasin direkt me të, e jo përmes mediave.
Por, kjo nuk e ndali Blancun që të flasë për yllin francez, pas një paraqitjeje të shkëlqyeshme ndaj Shqipërisë, të premten që shkoi.
“Samiri mund të bëjë edhe më shumë. Ai ka talent dhe ne e dimë se ai është lojtar me kualitet të lartë. Në Manchester City, ai mund ta arrijë një nivel tjetër. Shpresoj për të dhe për ne. Ai është djalosh inteligjent dhe i kupton mjaft mirë detyrat që i jepen”, deklaroi Blanc për Telefoot.
Blanc beson se Nasri do ta ketë karrierë të suksesshme dhe se ky është vetëm fillimi për të.