E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Ndroq u ndez mbrëmë “Flaka që bashkon historinë”

21-06-2012 / Gazeta 55

Vatra Kulturore “Ndroq” mbajti mbrëmë një aktivitet masiv në kuadër të 100 vjetorit të  pavarësisë. Vlerat e kalasë antike dhe lidhja e saj me simotrat në qarqet Tiranë e Durrës kanë qenë në epiqendër të dokumentarit dhe të ligjëratave të mbajtura me këtë rast
Ylli Ndroqi: “Lashtësia e 13 kalave të qarqeve Tiranë e Durrës është vlera e vërtetë e historisë së Shqipërisë”

Nuk mund të mungonte në këtë 100-vjetor të pavarësisë, vetë guri i themelit të këtij shteti. Pikërisht ai që tregon historinë e Shqipërisë, ai që tregon fortësinë e shtetit shqiptar, ai që tregon vendin ku u luftua dhe ku nisi të formësohej shteti shqiptar. Janë pikërisht kalatë, të cilat në këtë 100-vjetor të shtetit shqiptar tregojnë një pjesëz të vendit tonë. Ato që shkruan historinë dhe që i dhanë një tjetër fytyrë vendit tonë, pikërisht në ato ku u ngrit krenar flamuri me shqiponjën dy krenare sollën edhe atë që ne sot mund të festojmë me krenari 100 vjet pavarësi.
E ku mund të shpalosej më mirë kjo pavarësi se në kalanë e Ndroqit. Dhe pikërisht me një festë të madhe shqiptare, për të treguar një pjesëz të historisë së kombit, Vatra kulturore Ndroq organizoi aktivitetin “Flaka që bashkon historinë". Kjo flakë u ndez në orën 21, në kalanë e Ndroqit për të kaluar më pas në shenjë simbolike në kalatë e tjera historike si në Prezë, Krujë, Dajt, Petrelë, Kepi i Rodonit, Durrës, Vilbashtovë etj, si për të sjellë edhe një herë në vëmendje formimin e shtetit shqiptar, si një entitet i palëkundur, krejt si kalatë. I gjithë ky aktivitet pati përkujdesjen e posaçme të presidentit të Vatrës Artistike Kulturore Ndroq, z. Ylli Ndroqi.
Historia e lashtë e mureve të kalave të kësaj zone, ka ardhur për publikun ndryshe, në një spektakël madhështor edhe në mbështetjen e bashkive Tiranë, Durrës, Krujë, Kavajë e Fushë-Krujë, si dhe të komunave të kryeqytetit dhe atyre të Qarkut të Durrësit. Historia e 13 kalave të Qarkut Tiranë dhe Durrës është shfaqur përpara qindra të pranishmëve dhe të ftuarve të shumtë.
Por si vetë ky aktivitet, nuk mund të mungonin aty pikërisht ata që janë pjesë e kësaj arritjeje, ata që dikur kanë dhënë kontributin e tyre për jetësimin e shtetit. Pikërisht në kalanë shekullore të Ndroqit nuk mund të mungonin personalitete të njohura të politikës, artit dhe kulturës. Gjithashtu pjesëmarrës kanë qenë edhe ambasadori i OSBE në Tiranë, Eugen Wolfarth si dhe ambasadori italian Massimo Gaiani, të cilët kanë përshëndetur këtë eveniment historik të qarqeve Tiranë e Durrës. Përveç prezantimit të kalave, i cili erdhi më së miri si një promovim turistik për Shqipërinë, nuk kanë munguar këngët dhe vallet folklorike të zonës, interpretuar nga ansamblet përkatëse të këtyre qyteteve. Ky eveniment me përmasa kaq të mëdha organizohet për herë të parë dhe në një pikë të vetme në kalanë e Ndroqit bashkohen të gjithë në një flakë të vetme, të fortë e të fuqishme. Por në këtë kurorë të 100 vjetorit dhe të këtij evenimenti nuk mund të mos jenë edhe ata me të cilët identifikohet vendit ynë, aktorët e njohur, me interpretimet e tyre. Mbrëmë publiku shijoi interpretimin e artistit të Popullit Reshat Arbana si dhe zërat e këngëtarëve të njohur Artiola Toska, Flori Mumajesi e Greta Koçi.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe Aldo Bumçi, ministri i kulturës, Neritan Ceka, këshilltar i kryeministrit, kreu i qarkut të Tiranës Tahsim Mema, si dhe qytetarë të shumtë të zonës së Ndroqit, por edhe nga të gjitha komunat dhe bashkitë e qarkut Tiranë dhe Durrës.
Gjatë fjalës së tij z. Ylli Ndroqi, presidenti i nderit i Vatrës Kulturore Ndroq, u shpreh se ky aktivitet përkon me 100-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqiperisë. "Në këtë vit historik dhe jubilar për vendin tonë, sot ne promovojmë së bashku lashtësinë dhe bukuritë e Tiranës dhe Durrësit, ku 13 kalatë e këtij qarku janë vlera e vërtetë e jo vetëm e qarkut Tiranë dhe Durrës, por e të gjithë Shqipërisë. Ne sot, krenohemi që këto vlera i promovojmë së bashku në zhvillimin e turizmit në vend. Tirana ka potencialet e saj, ku vizitorët duhen të jenë edhe me shumë, për të parë nga afër historinë tonë nëpërmjet gurëve të lashtësisë. Dua të falënderoj të gjithë banorët e zonës së Ndroqit, por edhe të të gjitha bashkive dhe komunave pjesëmarrëse në shërbim të turizmit shqiptar”, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse presidenti i RTV Ora News z. Ndroqi.
E pikërisht në këtë vit jubilar të 100- vjetorit të pavarësisë z. Ndroqi ka nisur një projekt, i cili do të vendoset në jetë së shpejti për të treguar edhe një herë vlerat historike të kalasë së Ndroqit, të cilat fatkeqësisht janë të mbuluara nga pluhuri i harresës. Ky projekt konsiston në rindërtimin e kësaj kalaje shekullore, duke e kthyer atë në një qendër turistike të promovimit të vlerave të lashtësisë, të ndërthurur me ide të reja dhe pse jo tek-tuk edhe moderne, duke i dhënë kësaj zone të Tiranës, përveç vlerës historike të padiskutueshme, edhe një tjetër vëmendje, atë të syve kureshtarë të turistëve të huaj që do të kenë mundësi ta vizitojnë atë.  
Duke iu rikthyer kësaj feste madhështore, përmendim se nuk mund të mos ishte prezent dhe ta përshëndesnin aktivitetin, kryetari i bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, kryetari i bashkisë Durrës, Vangjush Dako, kryetarët e bashkive Krujë, Fushë-Krujë e Kavajë, si dhe kryetarët e komunave të qarkut Tiranë dhe Durrës.
Spektakli zgjati për afro tre orë dhe u transmetua live në rrjetin televiziv “Ora News”

 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›