Në Nëntor festivali mbarëkombëtar i dramës shqipe

Burime nga Teatri Kombëtar bëjnë të ditur se në këtë festival do të konkurrojnë rreth 18 trupa teatrore shqipfolëse. Në këtë aktivitet do të përfshihen jo vetëm teatrot profesionistë të Shqipërisë dhe Kosovës, por dhe teatrot kombëtarë shqipfolëse të rajonit si ato të Shkupit, Tetovës, Podgoricës.
Teatri Kombëtar do të prezantohet në festival me premierën "Ëndrra e Ismail Qemalit", me protagonistë aktorin Fatos Sela si dhe aktorët Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Dritan Boriçi, Anila Bisha, Mërkur Bozgo, Sokol Angjeli, Alfred Bualoti, Fadil Kujofsa, Amos Zaharia. Platforma e regjisorit Spiro Duni synon që ky dramatizim të shkojë drejt një teatri poetik. Vepra dominohet nga figura e Ismail Qemalit e trajtuar në tërë dimensionin e tij.
Që në fillim të këtij viti, TK e ka shpallur Festivalin Mbarëkombëtar të Dramës Shqipe si një nga prioritetet e këtij viti jubilar.