E Diel, 1 Nëntor 2026

Në Obot, ku banorët flejnë me lopët dhe refuzojnë evakuimin, rritet alarmi në qytet

 Nga të dërguarit tanë, Ferdinand Dervishi, Ridvan DibraPo të niset për në Obot, nga Ura e Goricës, 1 km pa shkuar në postën e kufirit të Muriqanit, një varke me motor të vogël i duhen më shumë se 20 minuta përpëlitje për të mbërritur. Sepse syprina e fryrë e Bunës duhet të çahet në drejtim të kundërt të rrjedhës. Një tjetër telash është të arrish të gjesh një mjet të tillë lundrues. Ushtarakët dhe policia, që nisen nga aty për të furnizuar me ushqime, apo për të bërë evakuimin e banorëve të zonës së përmbytur të Nënshkodrës, refuzojnë kategorikisht të na marrin përsipër, ndërsa privatët të heqin mënjanë e të bëjnë një pazar të kripur, ku oferta prej 1 mijë lekësh të rinj, të propozuar, të bën me turp teksa në fytyrën e barkaxhiut vëzhgon përvijimin e beftë të refuzimit kategorik. Duhen më shumë të holla. Por kur barka nis të çajë përpara me vështirësi rrjedhën e Bunës, mes erës e sqotës, një të ftohti që sikur dhjetëfishohet në njëqind metrat e para, kur një lëvizje e gabuar e trupit mund ta përmbysë atë e të lëshojë në brendësi të lumit brisk të ftohtë gjithë përmbajtjen e saj njerëzore drejt një shpëtimi të pasigurt nga vdekja, atëherë gjithçka bëhet më serioze dhe sasia e kërkuar dhe e paguar e të hollave duket krejt normale. Ndërsa mendimi më i parë, që të vjen në mend, pa sosur ende në Obot, ku prej më shumë se një jave, një pjesë e banorëve vazhdojnë të mos largohen nga shtëpitë e rrethuara nga uji, është: Nga ku dreqin vjen gjithë ky ujë paanë, pamat e pambarim në këtë kohë krize globale për ujin e ëmbël?!“S’ikim pa u futur uji në shtëpi”Shtëpia e parë ku barkaxhiu na çon duke manovruar mbi gati 1.5 metër ujë mes pemëve e gardheve të fshatit me qëllim që të mos dëmtojnë helikën e motorit, është ajo e 57-vjeçarit Fran Fati. Në oborr duket një barkë e njëjtë si ajo që po përdorimin, ndërsa ujit i duhet edhe një pëllëmbë të futet në brendësi të dhomave. Vetë Frani ka veshur një kostum plastik deri në gjoks, pasi duhet të shkarkojë dy thasë me misër kokërr për bagëtitë, që gjenden në brendësi të barkës tjetër. Gjithsesi e lë këtë punë dhe afrohet. “Nuk ka asnjë lidhje me mua kuptimi i mbiemrit që trashëgoj. Sepse nuk kam fat. Hapni sytë dhe më thoni se ku është...”, ishte përgjigja e Franit për pyetjen e parë të bërë. Shtëpia e tij, që e ndan me gruan dhe pesë anëtarë të tjerë të familjes, përbëhej nga dy dhoma dhe një kuzhinë. Njëra nga dhomat ishte boshatisur për të strehuar dy lopët, që përbënin pasurinë më të madhe të familjes. “Shtëpinë e kam nisur mbi një metër e gjysmë bazament, se kjo zonë gjithmonë përmbytet, por hauri i bagëtive është i ulët. Kështu që për t’u shpëtuar jetën i morëm në shtëpi”, rrëfen e shoqja, Shaqja, që ka vendosur të mos i ndahet Franit dhe të bashkohet me pjesën tjetër të familjes, tashmë të strehuar ndër miq. Familja e Fran Fatit e ka shpërnguljen e tretë në 30 vjet këtë të bërë pak ditë më parë. Sepse më 1979, pas tërmetit që rrafshoi Obotin dhe zonat përreth, ai ishte ngjitur të jetonte në kodër, në Oblikë, ku shteti kishte ndërtuar banesa të reja për të gjithë banorët e zonës që përmbytej nga Buna. Por pas vitit 1990 Frani dhe të tjerët kishin zbritur sërish në buzë të Bunës, në pronat e trashëguara të të parëve të tyre. “Zbritëm sepse këtu kishim tokat e trashëguara. Në Oblikë ishim ngushtë, shtëpitë ishin pranë e pranë, pastaj toka nuk ishte jona. Prishëm shtëpitë dhe me materialin e tyre ndërtuam të rejat pak a shumë aty ku i kishim pasur më 1979. I ngritëm mbi bazamente guri apo betoni, sepse kjo është një zonë që përmbytet. Unë mbaj mend njëzet ujëra në Obot, por si këtë radhë nuk na ka ndodhur”, rrëfen Frani. Sipas tij, i gjithë dëmi ka ndodhur sepse askush në fshat nuk e dinte se përmbytja do ishte e një kategorie të ngjashme. “Ishim mësuar me përmbytje. Edhe këtë radhë kur pamë ujin që doli përmbi rrugë atje tej, në Muriqan, ku ju u nisët me barkë, kujtuam se nuk do të kishte një ngritje të menjëhershme të nivelit. Prandaj nuk larguam asgjë. Mbetën edhe veturat (tregon me gisht një të fundosur, që i duket vetëm pjesa e sipërme) e traktorët. Sepse uji erdhi natën, papritur. Jemi përmbytur për 24 orë”, vazhdon rrëfimin banori i fshatit më ekstrem në Shqipëri. Ndërsa arsyet përse nuk evakuohen, si pjesa më e madhe e fshatit, janë të pabesueshme. “Nuk lëvizim që këtu nëse uji nuk do futet brenda. Na vjen keq për bagëtinë, sepse këtu kemi ushqimin e tyre. Ja sot na kanë sjellë misër. Por lopët nuk duan të hanë vetëm misër. Ah, po na u fut uji në shtëpi do lëvizim pastaj. Do marrim në telefon ushtrinë, apo miq e shokë, që do vijnë të na marrin me gjithë bagëtinë. Për shtëpinë pastaj, ç’fat të ketë...”, gjykon situatën Fran Fati duke na përcjellë e bërë gati të kalojë edhe një tjetër natë pa gjumë në shtëpinë që tashmë e ka ndarë me dy lopët, dy kafshët e uruara, që përbëjnë biznesin e vetëm të familjes edhe pse një litër qumësht e shesin për vetëm 30 lekë, një shifër shumë më e ulët se sa çmimi në treg i një litri ujë të ambalazhuar. Biznesi “i djegur”  Jo më tepër se 50 metër më tej shtëpisë së Fran Fatit, në një tjetër banesë, që sërish uji e ka kursyer për 20 centimetra, shfaqet një familje më e plotë, burri, gruaja, dy fëmijë të mitur dhe si kudo, një barkë e parkuar në oborr, si të ishte autoveturë. është pothuaj errësirë dhe barkaxhiu, duke na vënë nën urdhrat e veta, nuk ndalon. Shkon më tej, tek shtëpia e një tjetër banori të Obotit, për të cilin thotë se ka humbur dhjetëra-mijëra euro nga biznesi i vet. Në fakt i zoti i shtëpisë, tashmë me një pëllëmbë ujë mbi dysheme, gjendet në banesë. Quhet Florian Franaj, emigrant në Itali prej 12 vitesh. Barka e shtyn derën kryesore të shtëpisë së tij dhe e hap. Në të dyja anët, në oborr, por edhe në bahçe, duket qartë edhe lloji i biznesit të rrezikuar të Florianit. “Jam emigrant në Pistoia të Italisë prej 12 vitesh dhe zanati i vetëm që mësova, duke punuar fort, është ai i kultivimit të bimëve dekorative. Kam 6 vjet që investoj për të ndërtuar të njëjtin biznes këtu në Shkodër, por siç e shihni, ka të ngjarë që gjithçka të shkojë dëm nga përmbytja”, rrëfen emigranti duke treguar me dorë bimët dekorative të zhytura në ujë. Sipas rrëfimit të Florianit, ai kishte rreth 6 vjet që investohej në këtë biznes. “Siç e shikoni shtëpinë e kam të vjetër. Nuk e bëra të re sepse në Itali një njeri i mençur më tha që të ndërtoja në fillim një biznes, pastaj ky do më sillte shtëpinë e shumë të mira të tjera. Ndërsa e kundërta nuk do më sillte asgjë. E dëgjova dhe kam hedhur afërsisht 90 mijë euro në këtë biznes sepse kam sjellë nga Italia 120 mijë fidanë. Në dhjetor 2009, për Krishtlindje mora edhe familjen, pasi kisha vendosur që në fillim të këtij viti të merrja lejet e licencat e duhura dhe të nisja biznesin zyrtarisht. Lulet apo bimët e kanë mbyllur ciklin e vet, që është rreth 6 vjet, dhe janë gati për shitje. Por tani unë i rrezikoj që të gjitha. Sepse në Itali ndërkohë kam bërë edhe pak shkollë. Shkollë që thotë se këto bimë nuk mund të durojnë më shumë se një javë në ujë. Dhe nëse të gjitha do të shkatërrohen, atëherë unë do i them lamtumirë një fitimi prej afërsisht 380 mijë eurosh”, përmbyll gjykimin e vet emigranti që tentoi të ndërtonte biznes në fshatin e tij të lindjes. Në kthim errësira e bën më të frikshme syprinën e ujit. Tek tuk në ballkonet e shtëpive të Obotit shfaqen silueta të mbledhura nga të ftohtët. Janë familjarë apo vetëm rojet e tyre. Në portën e një banese ushtarët kanë varur një bukë që ende pret të zotin ta marrë, në një ballkon shquhet një qen leshator i bardhë ndërsa ca më tej një tjetër barkë duket të kthehet drejt tokës të fortë, sepse shtigjet mes pemëve e gjerdheve të Obotit nuk mund të çahen natën. Pas, një numër i pacaktuar njerëzish do të gdhihen pa energji elektrike e pa ngrohje, apo do flenë në këmbë, në krah të lopëve, me njërin sy të hapur për të vëzhguar se mos niveli u ujit papritur rritet.    Psikologët e shkollave pranë të evakuuarveMinistria e Arsimit ka urdhëruar Drejtorinë Rajonale të Arsimit në Shkodër që të marrë masat e duhura për hartimin e programeve përkatëse për asistencën në qendrat e pritjes së komunitetit të evakuuar me psikologë të shkollave të mesme të këtij qyteti. Këta të fundit do të asistojnë me ndihmesën e tyre, kryesisht me fëmijët, por nëse do të jetë e nevojshme edhe me të rriturit. Aktualisht, fëmijët e strehuar në ambientet e siguruara nga Bashkia e Shkodrës do të frekuentojnë shkollat më të afërta për të mos mbetur pas në procesin arsimor. Pjesa më e madhe e familjeve janë sistemuar pranë konvikteve të shkollave industriale dhe në ambientet e hotel “Rozafës”.Lezhë, policia: Qarri vdiq ndërsa priste druLEZHE – Policia e Lezhës reagoi dje për vdekjen e një 32-vjeçari në Kunë të Lezhës. Sipas njoftimit zyrtar të saj, Gëzim Qarri, nuk humbi jetën në këtë zonë duke larguar pemët e rëna nga përmbytja pak kohë më parë. Burimi citon se Qarri vdiq pas kontaktit me një përcjellës elektrik në kohën kur ai po tentonte të shkulte një pemë, për ta shfrytëzuar për dru zjarri. “Nga veprimet hetimore rezulton se viktima kishte dalë nga banesa e tij për të mbledhur dru zjarri kur papritur ka rënë në kontakt me një percjellës elektrik të zhveshur të linjës Kune–Shëngjin, i cili gjendej në tokë i këputur. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Lezhës si rast aksidental”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›