E Diel, 1 Nëntor 2026

Stuhi në det, del në rërë anija tregtare

 DURRES - Stuhia e fortë detare që përfshiu gjirin e Durrësit, shkul spirancën e një anijeje me flamur shqiptar,duke e ngecur atë në cektësirën ranore të plazhit të Durrësit. Mjeti i tonazhit të mesëm që gjendej afro tre milje larg portit është përballur gjatë qëndrimit në radë me një det të tërbuar, i cili ka nxjerrë jashtë përdorimit spirancën. Gjithçka ka ndodhur në harkun e pak minutave në orët e para të agimit. Anija tregtare “Renvi” me kapacitet 2 mijë ton ka përfunduar pak metra larg bregut të detit në sektorin “Apollonia” të plazhit. Mësohet se gjatë zhvendosjes dhe përplasjes me rërën asnjë prej ekuipazhit të kësaj anijeje nuk ka mbetur i dëmtuar. Situata është përcjellë me urgjencë në sallën operative të Kapitanerisë, e cila bëri me dije se me t’u përmirësuar moti do të ndërhyhet me rimorkiatorë për ta rifutur anijen në thellësinë për lundrim. “Anijes i është shkulur spiranca nga era e tërbuar dhe valëzimet tepër të forta. Ka qenë forca madhore e natyrës, ajo që shkaktoi ngecjen e anijes shqiptare, por kemi gati një plan të shpejtë ndërhyrjeje me rimorkiatorë, sapo të bjerë pak forca e detit”, tha kapiteni Edmond Doraci për “Panorama”. Moti i keq ka bërë që dhe tragetet e linjës së Durrësit me portet e vendit fqinj të vonohen, duke e bërë të vështirë nisjen e emigrantëve drejt Italisë.                                           o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›