E Diel, 1 Nëntor 2026

E lagu … s’e lagu!

Edmond Arizaj Problem serioz me kryetarin shpëtimtar. Askush, madje me gjasë, as ai vetë nuk arrin të kuptojë se si duhet të sillet në momente të rënda për vendin. Nuk arrin të orientohet në një qëndrim unik prej fillimit deri në fund. Fillimisht gjëmoi pse u hapën portat e hidrocentraleve. Nuk ishte e saktë. Pastaj ndryshoi kah, dhe kërkoi hesap pse nuk u hapën më parë portat e hidrocentraleve. Edhe kjo nuk doli e saktë.  Tani, i është kthyer ministrit dhe kryeministrit, I hapët, s’i hapët, u lag, s’u lag, duhet të jepni llogari, duke filluar nga dorëheqja. Dhe sërish, kryetari shpëtimtar, ka një logjikë, te cilit nuk I kundërvihesh dot me logjikë; Përmbytja nuk erdhi nga natyra, apo Perëndia, por erdhi nga tentativat për korrupsion. Ministri I linjës, përveçse ditë me radhë I duhet të rrijë 24 orë në krye të detyrës, në mes të ujit, e në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë vartësit e tij, për të mos lejuar thellimin e katastrofës, jep shpjegime orë e çast në media se çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe pse ka ndodhur. Ofron pa ngurrimin më të vogël gjithë letrat e mundshme, gjithë arkivin, gjithë stafin në dispozicion, që skeptikët të mund të gjejnë gjilpërën në kashtë, që në fund të fundit nuk ka hiç. Por asnjë nga prapavija dhe pararoja e kryetarit shpëtimtar, nuk është lodhur deri tek ministria, t’i marrë këto libra, t’i shfletojë, t’i analizojë dhe ku të mundë, ta verë në vështirësi ministrin, dhe në këtë mënyrë të kapë mat kryeministrin. Jo. Duket se procedurat ligjore e mërzisin kryetarin shpëtimtar. E vonojnë, atë që nuk ecën me hap, por vrapon (ju kujtohet kjo shprehje besoj). Në vrap e sipër, ai nuk mund të merret me vogëlsira, siç janë detajet e kontrollit, rregulloret, komisionet, grupet e punës, specialistët etj me radhë. Ai ka një synim madhor, që prej 28 qershorit. Të zhbëjë si të mundë votën e qytetarëve, të rrëzojë me ç’të mundë qeverinë dhe pastaj nga kryetar shpëtimtar të bëhet kryeministër triumfator... E në këtë nxitim e sipër, në këtë ëndërr që nuk po e bën dot realitet, nuk mund t’ia presin rrugën as lumenjtë, as shirat e rrëmbyer, as derdhjet e vendeve fqinje, as bora që shkrin, as qytetarët që sot janë pa strehë mbi kokë, as Shkodra “e ujitur”, e as gjithë qeveria që duam, s’duam, ka bërë më të mirën e mundshme deri tani. është koha e përgjegjësive, thërret kryetari shpëtimtar. është koha e gijotinës, thërrasin kryetarucët pa portofol. Pa thërritur njëherë, njëherë të vetme, mbështetje për të ndihmuar ata në nevojë. Kryetarit shpëtimtar nuk i gjendet veriu, jo vetëm për hapjen, apo mos hapjen e portave. Në fillim iu bë thirrje banorëve të mos evakuohen, ose për ta zbutur pak, nuk iu drejtuan fare banorëve, sepse po merreshin me dorëheqjet. Pastaj iu bë një gjysmë thirrje për evakuim, shoqëruar kjo, sipas deklaratave të ndryshme, edhe me telefonata të dyshimta në Shkodër për krizë të thellë humanitare. Një kryetar shpëtimtar nuk vepron kështu. Aq më tepër kur kishte një projekt një mijë faqesh për Shqipërinë. Ndoshta aty nuk ishin parashikuar çështjet e energjetikës?! Aq më pak sillet kështu një kryeministër rezervë. Mos u habisni. Kryetari shpëtimtar është duke u sjellë prej ditësh si kryeministër i një qeverie që e njeh vetëm ai. Ka ngritur shtabe të veçanta, ka hapur numër llogarie të veçantë, nuk njeh asnjë përpjekje të qeverisë ligjore për tejkalimin e situatës, deklaron se ne po ndihmojmë në  përballimin e katastrofës. Por edhe si kryeministër rezervë ka disa boshllëqe; nuk i ndërpreu pushimet (pak rëndësi ka se ku dhe si i kaloi) edhe pasi  Nënshkodra ishte mbi një metër nën ujë, nuk bëri thirrje për mobilizim të të gjithë atyre strukturave që ka nën varësi dhe mbi të gjitha, deputetët e tij nuk i lejon të bëjnë punën e tyre. Nuk po e përmendim shprehjen gjigande “po të ishin hapur kutitë, nuk do hapeshin digat” se mund të skuqet ndokush…I njëjti kryetar shpëtimtar ka treguar se edhe herë tjetër nuk i punon busulla. Le të mos harrojmë atë që sot ai e përmend më shumë pas kutive, tragjedinë e Gërdecit. Fillimisht solidaritet (???), pastaj një xhiro me qirinj në bulevard, e pasi e mori ferra uratën në 28 qershor, gërthitje për krim qeveritar. Sot, vërtet sytë dhe zemrat janë drejtuar në Shkodër, atje ku kataklizmi ujore nuk pyet as për qeveri, as për opozitë, as për rregullore e as për humanizëm, me shpresën se e keqja më e madhe ka kaluar. Por sjellja e kryetarit shpëtimtar, nuk është jo vetëm politike (meqë ai s’është politikan), por as edhe e një njeriu në mision. Nuk është misioni në këtë rast, t’u vërsulesh turravrap ministrave, gazetarëve, madje edhe qytetarëve në nevojë. Misioni në këtë kohë është të gjesh veriun në busullën tënde. Qeveria është duke e bërë punën e saj. Keq, apo mirë, gjykoje pasi të kalojë furtuna. Kjo është detyra jote në këtë rast si kryetar shpëtimtar dhe njeri në mision. Nëse e bën mirë këtë, mund të ketë ende mbështetje për protestat e kutive. Askush nuk e ka çuar në mendje se opozita ka ndonjë përgjegjësi në këtë situatë. Por ama, ka përgjegjësi për mënyrën e sjelljes për përballimin e saj. Dhe në gjithë ditët e vështira, ajo është sjellja më e pa pozicionuar. Kapitali politik fitohet me ide, nuk pritet nga qielli.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›