Strehohen në qytet 594 banorë
Vetë lagjet periferike të Shkodrës shënojnë dhe numrin më të madh të personave që janë evakuuar dhe qëndrojnë të strehuar në ambientet e siguruara nga bashkia. Nga shifrat e dala nga shtabi i emergjencës mësohet se gjithsej janë 594 persona që strehohen në këto ambiente. Të larguarit nga lagjet e Shkodrës janë vendosur pjesa më e madhe në hotel “Rozafa”, të tjerë në konviktet e shkollave industriale, në repartin ushtarak në Rrenc dhe në qendrën e murgeshave Dobraç. Ndërsa të ikur nga shtëpitë e komunës Gur i Zi, gjithsej 199 vetë janë sistemuar në godinën e konviktit të shkollës industriale. Gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur të evakuuar, çka shihet dhe në të dhënat e shtabit të emergjencës. Ndonëse ka ende familje që qëndrojnë pranë shtëpive, dhe pse të rrethuar nga uji, parashikohet që numri i tyre të rritet nëse situata do të vazhdojë të rëndohet.