E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emergjencat, raport para ekspertëve të BE

 SHKODER - Në kuadër të ndihmës për situatën e jashtëzakonshme të përmbytjeve në rajonin e Shkodrës, në Komitetit Ndërministror të të Emergjencave, të ngritur prej ditësh nën drejtimin e ministrit Basha, ditën e djeshme kanë mbërritur ekspertë humanitarë të NATO-s dhe BE-së. Ata janë njohur zyrtarisht, nga drejtuesit e këtij komiteti mbi gjendjen e krijuar nga përmbytjet, duke shprehur gatishmërinë për ndihmë nga BE dhe NATO. Drejtori i Emergjencës Civile, Alfred Olli, raportoi para ekspertëve të BE-së se Brukseli është vënë në dijeni tre ditë më parë për situatën, duke informuar për atë që po ndodhte në Shqipëri, konkretisht në Shkodër. Më pas kanë nisur dhe ndihmat nga vende të ndryshme, në teknikë dhe forca të specializuara. Gjatë takimit, ekspertët e BE-së e NATO-s shprehën gatishmërinë e tyre për ndihma në ushqime dhe baza materiale. Këta ekspertë, të mbërritur në Shkodër me anë të helikopterëve, kanë vëzhguar gjendjen nga ajri, duke bërë një plan të detajuar të asaj çka po ndodh në veri dhe veriperëndim të vendit. Pritet që pas inspektimit dhe verifikimit të hollësishëm të këtij fenomeni të ndihmohet në masa konkrete për zbutjen e tij. Ata mësohet se do të hartojnë një raport të detajuar mbi gjendjen pas fatkeqësisë natyrore. Nga ana e tij, kryetari i këshillit të qarkut, Gjovalin Kolombi u ka kërkuar mes të tjerash ekspertëve të BE-së që të shikojnë mundësinë e hartimit të një plani për të ndërhyrë në rikonstruksionin dhe marrjen nën mbrojtje të dy objekteve të vjetra të kultit. Njëra prej tyre është Xhamia e Plumbit, e cila është e fundosur deri në gjysmë në ujë, ndërsa tjetra është Kisha e Shirqit, pjesë e komunës Dajç, gjithashtu e përmbytur. Kjo kishë ndodhet pranë argjinaturës së Drinit, e cila nga prurjet e shumta e ka dëmtuar atë, duke u përhapur deri në shtëpitë e banuara. Dajçi cilësohet dhe si komuna me më shumë dëme materiale dhe persona të evakuuar si pasojë e rrezikut të përmbytjes.                                   r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›