E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largonte pemët pas përmbytjes, e zë korrenti 30-vjeçarin

 LEZHE - Tentoi të hapte rrugën e bllokuar nga batica e detit dhe erozioni, pasojë e së cilës ishin disa pemë gati të shkulura dhe trungje. Por 30-vjeçari nga fshati Kune e Lezhës ka rënë në kontakt me korrentin duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Gëzim Qarri po iu hapte rrugën banorëve ndërsa po priste një pemë e cila ishte rrëzuar si pasojë erozionit. “30-vjeçari Qarri ka qenë duke prerë një pishë, për të bërë të mundur hapjen e rrugës ndërsa nuk ka vënë re që një nga degët e saj kishte kontakt me telat e korrentit”, bëri të ditur policia. Pasi ka filluar prerjen, i riu në momentet e fundit ka lënë sopatën në tokë duke vendosur duart në pemë për ta shtyrë atë. Por ai ka rënë në kontakt me korrentin, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Kanë qenë banorët e zonës të cilët ishin duke ndihmuar Qarrin, të cilët sinjalizuan policinë për ngjarjen e ndodhur. Fatmirësisht dëshmitarët e tjerë e kanë vënë re menjëherë telin që ishte në kontakt me pemën, duke evituar viktima të tjera të mundshme në tentativë për të ndihmuar 30- vjeçarin. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›