E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria “Berisha 2”, hov të ri për përmbushjen e standardeve të integrimit në BE

Qeveria miraton Strategjinë për Administratën Publike 2009-2013. Shtylla kryesore e universit të reformave, në procesin e integrimit

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e qeverisë, se administrata publike do të ketë një rol kyç në universin e reformave dhe se konsolidimi i saj këtë katër vjeçar, do të jetë një progres i madh porsa i takon procesit të integrimit. Ai theksoi se procesi i integrimit në BE, është një univers i vërtetë reformash, ligjesh, vendimesh dhe zbatimi të tyre, të cilat përpilohen dhe zbatohen nga administrata publike. Kryeministri theksoi gjithashtu se administrata e ka jetike zgjerimin dhe konsolidimin e shërbimit civil, si shërbimi më kompetent, me ekspertizën më të lartë dhe më i pandikuar nga vajtje-ardhjet politike në pushtet.

TIRANE – Qeveria e re fillon punën me një hov të ri, për përmbushjen e detyrimeve ndaj shtetasve shqiptarë dhe standardeve për integrimin në BE. Këtë ka evidentuar dje Kryeministri Sali Berisha, ndërsa ju ka kujtuar ministrave të qeverisë së tij, se në dy ditët e saj, qeveria ka zhvilluar dy mbledhje.
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, administrata publike është konsideruar si shtylla kryesore në realizimin e reformave, roli i së cilës në procesin e integrimit bëhet gjithnjë e më i madh. Ndërsa ka deklaruar këtë konstatim, Kryeministri Berisha ka specifikuar gjithashtu rolin kyç të administratës publike, në realizimin e korpusit të reformave, në kuadër të procesin e integrimit evropian të vendit. Kreu i qeverisë e vlerësoi miratimin e Strategjisë 2009-2013, të një rëndësie të veçantë.
“Procesi i integrimit në Bashkimin Evropian, tha Kryeministri, është një univers i vërtetë reformash, ligjesh, vendimesh dhe zbatimi të tyre, të cilat përpilohen dhe zbatohen nga administrata publike”.
Kryeministri Berisha tha se qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha për zhvillimin më tej të administratës publike, në katër vitet e ardhshme dhe në këtë kontekst, Strategjia synon të zgjerojë e konsolidojë korpusin e punonjësve të shërbimit civil.
“Administrata e ka jetike zgjerimin dhe konsolidimin shërbimit civil, si shërbimi më kompetent,  me ekspertizën më të lartë dhe më i pandikuar nga vajtje-ardhjet politike në pushtet, u shpreh Kryeministri, duke nënvizuar se, asgjë nuk i përcakton më shumë ritmet e integrimit evropian, sesa aftësia dhe fuqia reformuese e administratës.”
Kryeministri informoi se qeveria do të marrë së shpejti pyetësorin evropian, i cili përbën dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të vlerësohet performanca e administratës dhe e qeverisë.
Duke folur për rëndësinë e një administrate sa më efikase dhe të kualifikuar, kryeministri Berisha u shpreh se ajo është një pasuri e madhe e vendit dhe e kombit, roli i së cilës bëhet gjithnjë e më i madh e më i vështirë.
“Ne ecim drejt integrimit dhe e theksoj edhe një herë se procesi i integrimit është procesi i negociatave më intensive në historinë e vendit. Janë me qindra e me mijëra problematikat që do të negociohen me Komisionin Evropian, me vendet anëtare gjatë viteve që vijnë. Shpresojmë se së shpejti, ne do të marrim pyetësorin, i cili përbën dokumentin kryesor mbi bazën e të cilit do të vlerësohet performaca e kësaj administrate dhe e kësaj qeveria. E vërteta është se asgjë nuk i përcakton më shumë ritmet e integrimit evropian, sesa administrata e vendit, aftësia dhe fuqia reformuese e saj”, u shpreh Berisha.
Kryeministri theksoi se administrata e ka jetike zgjerimin dhe konsolidimin e shërbimit civil, si shërbimi më kompetent, me ekspertizën më të lartë dhe më i pandikuar nga vajtje-ardhjet politike në pushtet.
“Ky shërbim ka bërë progresin e vet, është zgjeruar, por nuk duhet të harrojmë se shërbimi civil nuk është produkt i një evolucioni të gjatë, por produkt i një vendimi dhe ligji të kaluar për t’u sanksionuar si i tillë dhe kjo për faktin e vetëm se nuk kishte alternativë tjetër, çka e bën të domosdoshëm trajnimin dhe kualifikimin e vazhdueshëm të kësaj administrate, në interesin më të mirë të vendit”, tha kryeministri.
Shefi i ekzekutivit, theksoi se qeveria ka përcaktuar si objektiv gjatë këtij katërvjeçari ngritjen e një universiteti për administratën publike. Sipas kryeministrit është i domosdoshëm ngritja e këtij universiteti, si një investim i dobishëm për vendin.
“Ne kemi një Institut pranë Departamentit të Administratës Publike, por unë mendoj se ne kemi të domosdoshëm ngritjen e këtij universiteti dhe ju garantoj se ai do të provohet si një investim shumë i dobishëm për vendin”, vlerësoi Berisha.
Kryeministri evidentoi se në këtë Strategji synohet që të zgjerohet korpusi i punonjësve të shërbimit civil, si një domosdoshmëri.
“Realitet është se janë krijuar një seri agjencish me shkallën më të lartë të ekspertizës, të cilat kanë mbetur në varësi të ministrit. Ato duhet të jenë në varësi të ligjit. Krijimi i tyre është një meritë e madhe. Ato menaxhojnë procese shumë të avancuara dhe me sukses të plotë. Natyrisht, ato i përkasin dhe duhet t’i përkasin fondit të shërbimit civil. Po kështu, në qeveritë vendore, pa abuzuar me këtë problem, është e domosdoshme të konsolidohet korpusi i shërbimit civil. Mund të shqyrtohet edhe ligji, sepse në rastin e agjencive, ato nuk janë në këtë shërbim, pasi ligji atribuon administratën e ministrive dhe të qeverive vendore. Shërbimi civil duhet të shtrihet edhe në komunat e vendit”, tha kryeministri.
Më tej, Berisha u shpreh se ky katërvjeçar duhet të shënojë një lëvizje të fuqishme, një përpjekje të madhe të kësaj qeverie për zhvillimin dhe konsolidimin më tej të administratës publike.
“Po ashtu, do të jepen gradimet, siç i kanë edhe vendet e tjera, si zyrtar i lartë civil. Ai, që me përpjekjet dhe performancën e tij, merr këtë nivel, e fiton kur dëshmon se është i aftë të jetë Sekretar i Përgjithshëm jo në një ministri, por në secilën ministri ku mund t’i ngarkohet detyra, ai që ka arritur atë stad formimi dhe pjekurie. Mendoj se është urgjente dhe e domosdoshme zbatimi me seriozitet e rigorozitetin më të madh i Strategjisë që miratojmë sot, në interesin më të mirë të vendit. Ne kemi të gjitha mundësitë që këtë katërvjeçar të konsolidojmë administratën publike si shtyllën kryesore të universit të reformave, për të cilat vendi ka nevojë, në procesin e integrimit”, nënvizoi Berisha, gjatë mbledhjes së parë të Këshillit të Ministrave.
 

Qeveria, kontrata të përkohshme pune me 2656 punonjës të administratës

TIRANE – Kabineti i ri qeverisës “Berisha 2”, në mbledhjen e saj të parë mori disa vendime mes të cilave dhe caktimin e numrit të punonjësve me kontratë të përkohshëm në disa ministri dhe institucione qendrore. Qeveria vendosi që 2656 punonjës të jenë me kontrata të përkohshme në administratë. Ajo ngarkoi ministrinë e Financave për të miratuar shtesat, sipas ministrive dhe institucioneve qendrore, për numrin e punonjësve të përkohshëm, sipas profesioneve dhe afateve kohore, brenda kritereve të përcaktuara në vendim.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›