“Në PS mbizotëron filozofia e servilit, t’i qëndrojmë sa më pranë kryetarit!”

Deputeti socialist Andis Harasani
Ligjvënësi socialist, Andis Harasani, në një shkrim të publikuar në median e shkruar, thumbon mënyrën e të menduarit dhe punuarit në Partinë Socialiste. Ai e krahason PS-në si një dyqan ku shitet qumësht, ndërsa kryetarin e saj, Edi Rama si shitës të qumështit. Deputeti Harasani thotë në analizën e tij të gjatë se në Partinë Socialiste po mbizotëron sindroma e servilit, duke i qëndruar sa më pranë kryetarit të Partisë, pasi ai sjell “gjithë të mirat”; mund të të vendosë të parin në listat e deputetëve; mund të përfitosh benefice mediatike duke qenë në listën e të preferuarve që lejohen të marrin pjesë në debatet televizive...ose e thënë shkurt fare, “shitësi i qumështit mund të të ofrojë qumështin pa radhë”...
“Në PS, është bërë mbizotëruese filozofia e të qëndruarit sa më pranë kryetarit të radhës. Nëse do që të jesh në listë dhe në vend të mirë për deputet, duhet të jesh pranë kryetarit, nëse do që të japësh konferenca shtypi nga selia e PS-së, duhet të jesh pranë kryetarit, nëse do që të jesh i ftuar në debatet televizive, duhet të jesh pranë kryetarit, ndryshe përfundon në listat e zeza që u dërgohen TV mike ku përfshihen emrat e deputetëve të PS të cilët nuk duhen ftuar. Dhe një listë të tillë para disa kohësh e kam parë vetë me sy. Shkurt, nëse do të doje një histori vetjake suksesi në politikë, duhet të jesh pranë kryetarit, i cili si shitëset e dikurshme të qumështit, mund të të afrojë litrin e lëngut edhe pa radhë. Madje, tani është bërë rregull që qumështi nga partitë merret dhe jepet fare pa radhë. Në këtë kuptim, shumica e kolegëve të mi të PS-së, ndryshe mendojnë, ndryshe flasin, ndryshe flasin në publik dhe ndryshe flasin në kafene. Tek ta, ka mbizotëruar filozofia e kryetarit që mendon se sa kohë ta mbajë trëndafilin në grusht, ka gjithmonë një shans për të ardhur në pushtet, dhe ndaj e shtrëngon aq fort e harron çdo gjë tjetër. Ndaj ata dhe kryetari, tani kërkojnë vetëm një gjë që të jenë të parët në opozitë sepse pushteti do të vijë vetvetiu kur të lodhet Berisha nga pushteti. Nëse kjo nuk ndodh në 2013, mund të ndodhë në 2017-ën ose 2021, sepse zgjedhje do të ketë çdo katër vjet. Deri në fitoren e PS-së, e rëndësishme është vetëm që të mos i shkëputesh vështrimit të kryetarit, të jesh pranë tij, të jesh gjithmonë në radhë. Për këtë duhet që t’i thuash dakord për çdo gjë, ta konsiderohesh si të pazëvendësueshëm dhe t’i kërkosh të qëndrojë në krye të P-së deri në fitore. Pastaj, qumështi nuk do të mungojë. Pastaj, mund të kesh shansin që të trajtohesh si zonjat e moshuara në New Jersey që pronari i lokalit i quajti bukuroshe. Mjafton që ato të vinin përsëri në restorantin e tij. Kështu hyn pa radhë dhe shërbehesh pa radhë. Mjafton ta kesh mirë me shitësen e bulmetit”, ironizon Harasani, kreun e PS-së Edi Rama.
Deputeti socialist Andis Harasani, kujton gjithashtu se kjo parti nuk shpenzoi asnjë pikë energjie për të reaguar mbi heqjen e mandatit të deputetit Ilir Beqja.
“Një javë më parë, Kushtetuesja i hoqi mandatin kolegut të partisë sime, deputetit Ilir Beqja. Kemi qenë të gjithë në seancën kur PD kërkoi që çështja e tij të votohej për të shkuar në gjykatë. E gjithë Partia Socialiste u bë gardh për të mos e lejuar një gjë të tillë. Na mundën me shifra dhe me një fitore të dyshimtë. Gjashtë-shtatë muaj në gjykatë dhe më në fund, u vendos që Beqja duhet të lerë mandatin. Dhe nga e enjtja e shkuar që ndodhi një gjë të tillë, askush nga partia ime nuk tha asnjë fjalë për të. Nuk u bë asnjë konferencë shtypi ku të denoncohej ky veprim. U bë dhe një asamble e partisë ku foli edhe kryetari radhës Rama, por as ai nuk gjeti kohë ta përmendte mikun Beqja, duke harruar çkishim bërë si parti që nga Zogu i Zi e deri për mandatin e tij. I vetmi që foli ishte kolegu Fatmir Xhafaj disa ditë më pas. Unë ndodhesha larg, në SHBA, por në këtë rast m’u duk njëlloj sikur isha në Tiranë. Njëlloj sikur lexova në mendjen e shumicës dërmuese të kolegëve të mi që fshehtazi u gëzuan. Sepse me largimin e Beqes u hap një vend. U lirua një radhë. Si në radhën e dikurshme të qumështit. Dikujt i ndodhi një fatkeqësi, dikush tjetër ka një shans më shumë për të hyrë në radhë dhe për të marrë pak qumësht nga pushteti”, thotë më tej, deputeti socialist, Andis Harasani.