Edukimi, prioritet i rëndësishëm i qeverisë, në 5 vite u trefishua numri i studentëve

Kryeministri Berisha takon Heinz Dieter Wenzel nga universiteti i Bambergut
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim Heinz Dieter Wenzel nga universiteti i Bambergut, Gjermani. Kryeministri vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm që Universiteti i Bambergut ka pasur me Universitetin e Tiranës e në veçanti me Fakultetin Ekonomik.
Kryeministri u shpreh se edukimi është një nga prioritetet më të rëndësishme të qeverisë dhe se janë bërë përpjekje të mëdha në këtë drejtim, si rezultat i të cilave vetëm në 5 vitet e fundit është mundësuar rritja e numrit të studentëve me tre herë më shumë.
Qeveria ka iniciuar, mbështetur forcimin e sistemit të edukimit dhe tani po synohet për një përmirësim cilësor të tij. Në këtë kuadër, bashkëpunimi ndërkombëtar merr një rëndësi të jashtëzakonshme për të plotësuar sa më mirë tërësinë e misioneve që kanë universitetet tona, si përgatitja e studentëve, kërkimi shkencor, përgatitja e fitimi i gradave dhe titujve shkencorë, përgatitja e vetë pedagoge dhe përfshirja e tyre në kërkim.
Heinz Dieter Wenzel i prezantoi kryeministrit ecurinë e bashkëpunimit në vite si dhe projektin e fundit me përfshirjen e 7 universiteteve, ndër të cilët dhe atë të Tiranës duke krijuar një rrjet rajonal të rëndësishëm për përgatitjen e studentëve, doktorantëve etj. Pjesë e këtij bashkëpunimi është dhe programi Master i përbashkët në fushën e studimeve ekonomike Europianë nga i cili kanë përfituar një numër i konsiderueshëm i studentëve dhe pedagogëve.
Kryeministri u shpreh se bashkëpunimi me universitetin Bambergut e me universitetet gjermane në tërësi ka qenë shumë i rëndësishëm dhe konkret dhe se ky projekt do t’i shërbejë reformimit e modernizimit të sistemit.
Kryeministri siguroi që qeveria do të mbështesë plotësisht projektin e ofruar prej tyre si dhe kërkoi që ai të shtrihet dhe ne universitete të tjera në Shqipëri dhe Kosovë.