E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ shpall sot Lulzim Bashën, fitues zyrtar të bashkisë së Tiranës

25-06-2011 / Gazeta 55

Juristët: PS-ja nuk mund të kërkojë më pavlefshmëri të procesit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për të miratuar projekt aktin, për hartimin e tabelës përmbledhëse për rezultatin e bashkisë së Tiranës. Sipas këtij institucioni, administrata po harton aktin, që përfshin në vetvete gjithë mbledhjen e votave të rinumëruara pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor në datë 13 qershor dhe shtimin e tyre në tabelën e rezultatit të përgjithshëm për kryetar Bashkie.
Procesi i numërimit të fletëve të kontestuara u mbyll dy ditë më parë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ku kandidati i djathtë Lulzim Basha rezultoi 95 vota më tepër se rivali i tij socialist Edi Rama.
Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli do të deklaronte pas finalizimit të procesit se, shifrat e dala nga numërimi i fletëve të kontestuara të 11 minibashkive të kryeqytetit do të përpunohen dhe më pas do t’u shtohen tabelës përmbledhëse të rezultateve.

Çlirim Gjata: Procesi në KQZ, transparent, Lulzim Basha fitoi me 95 vota më shumë
Çlirim Gjata, ish kreu i KQZ-së, në një prononcim në media ka komentuar procesin e numërimit të votave. Sipas tij, me këtë proces u arrit zbatimi i standardeve dhe transparencës, u numëruan të gjitha votat e qytetarëve.
Gjata theksoi se Kolegji Zgjedhor vendos në parim të asaj që kërkohet. Kolegji Zgjedhor e vlerësoi të ligjshëm rezultatin e parë të KQZ-së, shtoi me tej ai. Sipas tij në çdo proces zgjedhor nuk ka rakordim të plotë të shifrave. Madje sipas tij edhe 100 herë të bëhen zgjedhjet do të ketë rakordim të shifrave në masën 100 për qind dhe kjo sipas tij është e pranueshme në një proces.
Ndaj, Gjata thotë se PS-ja nuk mund të pretendojë për mos rakordim shifrash. Juristi Gjata ka sqaruar se lidhur me pavlefshmërinë e zgjedhjeve opozita e ka humbur këtë të drejtë. Pasi një veprim të tillë mund të bënte brenda 3 ditëve nga dita kur KQZ-ja shpalli fitues kandidatin Basha.
“Ata s’mund t’i kthehen pavlefshmërisë, pasi ata kërkuan mos rakordim shifrash me ankimin e tyre ne Kolegjin Zgjedhor”, u shpreh ish kreu i KQZ.
Lidhur me sigurinë dhe përdorimin e kodeve, Gjata sqaron se pesë kodet e kutisë shënohen në procesverbal.
“Po bëhet zhurmë me kodin e pestë, por kodi i pestë vendoset në kapakun e kutisë së votimit dhe se në kutitë e votimit nuk mund të bëhen manipulime”, thotë ai.
Më tej, Gjata ka nënvizuar se kutitë e votimit ruhen në kushte sigurie shumë të larta.
Ai shton KQZ ka zbatuar një procedurë të pastër ligjore. Duke parashtruar këto argumente kreu ish kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nënvizon Kolegji Zgjedhor me vendimin e tij më të fundit krijoi hapësirë për ankimim të ri të Partisë Socialiste.
Sipas tij, kolegji zbatoi parimin dhe në kurriz të ligjit i bëri një nder partisë socialiste për të mbërritur askund.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›