E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin përgatitjet për 100 vjetorin e Pavarësisë - Shqipëria do ketë parlamentin më modern

25-06-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli pret në një takim drejtues të Federatës Panshqiptare në SHBA “Vatra”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim drejtues të Federatës Pan-Shqiptare në SHBA “Vatra”, Kryetarin e saj, Gjon Buçaj, si edhe drejtues të tjerë të kësaj organizate.
Pasi uroi mirëseardhjen, Kryetarja e Kuvendit, Topalli shprehu mirënjohjen për rolin, kontributin dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që “Vatra” ka dhënë ndaj Shqipërisë duke përcjellë në Shtetet e Bashkuara arritjet dhe zërin e shqiptarëve kudo që ata ndodhen. Ndërsa kryetari i Federatës “Vatra” në SHBA, Buçaj i shprehu Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e të gjithë anëtarëve të kësaj federate ndërsa shprehu përgëzimet e tij më të mira për arritjet që Shqipëria ka shënuar vitet e fundit. Përgatitjet e festimeve për celebrimin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë ishin tema kryesore e bisedimeve.
Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli i njohu përfaqësuesit e shoqatës “Vatra” me përgatitjet që Kuvendi ka nisur. Ajo bëri me dije se për përgatitjet e festimeve është ngritur një grup i posaçëm pune që do të evidentojë projektet më të mira për ta festuar këtë ditë në mënyrën më dinjitoze. Buçaj, kryetari i Federatës Pan-Shqiptare në SHBA “Vatra”, nënvizoi se ky kremtim historik përkon edhe me 100-vjetorin e themelimit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”.
Ai shprehu dëshirën që edhe Federata-Pan Shqiptare “Vatra” të bëhet pjesë e aktiviteteve që do të organizohen me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Duke vlerësuar këtë iniciativë, Kryetarja e Kuvendit shprehu kënaqësinë që në përgatitjet që Kuvendi po organizon me këtë rast, Federata “Vatra” të ketë dimensionin e saj.
Kryeparlamentarja Topalli ftoi përfaqësuesit e “Vatrës” që të bashkëpunonin me Kuvendin për të bërë të mundur ekspozimin e dokumenteve autentike dhe origjinale të themelimit të kësaj shoqate. Topalli theksoi se me rastin e 100 – vjetori të pavarësisë, për celebrimin e kësaj dite të vecantë, Kuvendi ka nisur gjithashtu punën duke skanuar të gjitha bisedimet parlamentare që nga viti 1912 duke mundësuar kështu një kolanë të plotë botimesh me të gjitha fjalimet, si dhe me figurat e shquara që kanë qenë firmëtarë të aktit të shpalljes së pavarësisë, por që emrat e tyre ishin fshirë gjatë periudhës së regjimit komunist.
“Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë do të fillojë të ndërtohet një Parlamenti i ri, si një simbolikë e veçantë për të konsoliduar të gjitha përpjekjet për themelimin e demokracisë në vend. Shqipërisë, i takon të ketë një tempull dinjitoz të demokracisë”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›