“Shqiptarët po zbatojnë më së miri këshillat e dhëna nga zyrtarët e ‘Schengen’-it”

Ministrja e brendshme belge, Katy Velzelen
“Kërkesat azilkërkuese të shqiptarëve nuk janë shqetësuese”. Shqiptarët po zbatojnë më së miri këshillat e dhëna nga zyrtarët e “Schengen”-it. Kjo është deklarata e përcjellë në takimin me mediat ditën e enjte nga Katy Velzelen, zyrtarja e lartë e migracionit në Ministrinë e Brendshme të Belgjikës. Gjithashtu ajo bëri një ri-prezantim të kritereve për të vizituar vendet e “Schengen”-it, si dhe specifikat e veçanta në territorin belg. “Heqja e vizave për Serbinë dhe Maqedoninë në fund të vitit 2009, siç e dini shkaktoi një fluks azilkërkuesish. Dëshiroj të theksoj se në sajë të masave të marra nga autoritetet shqiptare, ky fenomen nuk është parë sa i përket shqiptarëve. Kjo konferencë ka si qëllim të mbështesë veprimtarinë e masave të autoriteteve shqiptare”, tha Velzelen. Gjithashtu në fjalën e saj ajo bëri të ditur se numri i mospranimit të kërkesave të shqiptarëve për të vizituar Belgjikën është i vogël, por ky refuzim nga ana e autoriteteve belge ka pasur një rritje më të madhe muajin e fundit. Më herët, Ministri i Brendshëm Nishani, në takimin që pati me zonjën Velzelen, vuri theksin te përdorimi me efiçencë i burimeve njerëzore si dhe kapaciteteve teknike që disponon Shqipëria për përmbushjen e kontrollit të kufijve dhe respektimin e kritereve të “Schengen”-it.
...