E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Partitë të respektojnë vendimet e institucioneve, dialogu politik të zhvillohet në Parlament”

25-06-2011 / Gazeta 55

Ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia

Në një kohë kur Partia Socialiste mendon ankimimin e radhës në Kolegjin Zgjedhor të Apelit, për rezultatin e zgjedhjeve në bashkinë e Tiranës si dhe gjatjen në kohë të bojkotit institucional të Kuvendit, reagimi i ndërkombëtarëve tërheq vëmendjen që secila forcë politike, pikë së pari duhet të respektojë vendimet e institucioneve. N
ë këtë linjë është shprehur dje ambasadori italian në Tiranë, Saba D’Elia, i cili ka kërkuar më shumë bashkëpunim nga forcat politike, për të zgjidhur kështu ngërçin politik në vend dhe nisjen e menjëhershme të dialogut në Parlament. Ambasadori italian kujton se Shqipëria ka shumë “detyra” për të realizuar dhe se vonesat politike mund të sjellin pasoja në procesin e integrimit.
“Ajo që mund të them dhe që ja kam përsëritur gjithmonë miqve shqiptarë është që duhet të përpiqen të punojnë për të kaluar këtë ngërç dhe për t’iu rikthyer një jete politike normale edhe në parlament, sepse pikërisht në parlament duhet të ndërmerren ato reforma që janë kërkuar nga BE për procesin e integrimit”, u shpreh diplomati italian.
Komentet e tij, Saba D’Elia i bëri pas një takimi të zhvilluar me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Apeli i Bashkimit Evropian për nisjen e dialogut politik dhe trajtimin me seriozitet të reformave, është detyrë parësore për politikën shqiptare.
Në nëntor Komisioni Evropian do publikojë progres-raportin për Shqipërinë, nga ku do bëhet e mundur çelja e dritës jeshile për marrjen e statusit të vendit kandidat. Plotësimi i 12 rekomandimeve të Brukselit, kërkon votën unanime në Parlament, ndërsa sfida mbetet se, cili do të jetë roli i opozitës dhe Partisë Socialiste. 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›