E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në QSUT hapet për herë të parë shërbimi i dializës për fëmijët



Emanuela Sako

Hapet shërbimi i dializës në QSUT për kurimin e fëmijëve që vuajnë nga sëmundja e veshkave. Aktualisht, ka përfunduar rikonstruksioni dhe shtesa e godinës së Pediatrisë, ku do të vendoset edhe shërbimi i dializës. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo nënshkroi dje, marrëveshjen e bashkëpunimit me qeverinë turke për investimet që do kryhen për këtë qendër nga të dyja palët. Pala turke ka bërë një investim prej 250 mijë euro pajisjet e nevojshme dhe do të sigurojë trajnimin e personelit të mesëm dhe të lartë të stafit mjekësor, që do të punojnë në këtë qendër. Gjithashtu pala shqiptare do të mbulojë pagat e personelit dhe të gjithë materialet e konsumit mujor dhe të përditshëm që do të ketë nevojë në këtë qendër.
Situata
Në këtë qendër pritet të trajtohen rreth 15 fëmijë të sëmurë rëndë. Fëmijët që kanë nevojë për marrjen e shërbimit të dializës më parë janë trajtuar njëlloj si të rriturit, pasi nuk ka pasur qendër të dializës për të vegjlit. Kjo do të jetë qendra e parë në vend që do të trajtojë fëmijët e sëmurë me veshka, ku do të kryhen edhe transfuzionet. Ministrja e Shëndetësisë, shprehet se ky sektor ka qenë tepër problematik më parë dhe shpesh është bërë shkak për humbjen e jetës. “Ky sektor nuk ka ekzistuar më parë dhe ka qenë një ndër pikat e trishtueshme të shërbimit tonë, sepse kur kishim fëmijë që kishin nevojë për shërbimin e dializës mbeteshim në vështirësi. Për fëmijët e vegjël ky shërbim nuk ofrohej në qendrën e dializës. Ndërkohë, kemi fëmijë që kanë nevojë për këtë shërbim”, u shpreh Godo.
Personeli
Personeli që do të punojë në këtë qendër është përgatitur profesionalisht, pasi nuk kanë pasur përvojën e duhur për shkak të mosekzistencës së një qendre të tillë për fëmijë. Stafi mjekësor i është nënshtruar një trajnimi dymujor në spitalet turke. Deri më tani kanë shkuar për trajnim 3 infermierë dhe 1 mjek, ndërsa pritet të nisen edhe 2 mjekë të tjerë, një nefropediatër dhe një kirurg për fëmijë. Përfaqësuesit turq po punojnë për zbatimin e një projekti tjetër për ngritjen e një qendre transfuzioni gjaku në Spitalin e Vlorës. Shërbimi i dializës është problematik edhe në Repartin e Dializës për të rriturit. Pacientët nuk kanë mundur të sigurojnë mjekimet për shkak të mungesave që kanë pasur në këtë qendër. Madje, pak muaj më parë ata kanë protestuar edhe para Ministrisë së Shëndetësisë, pasi për të sëmurët nevojitet marrja e trajtimit mjekësor tre herë në jave. Për më tepër trajtimi i tyre ka një kosto tepër të lartë shërbimi. Mungesa e këtyre sektorëve në spitalet e rretheve është zgjidhur nëpërmjet marrëveshjeve mes Ministrisë së Shëndetësisë të vendit tonë dhe ministrive homologe në vendet fqinje, ku një pjesë e pacientëve të kurohen në spitalet maqedonase apo në vende të tjera.

Bashkia pajis me libra bibliotekat publike në kryeqytet
Bashkia e Tiranës ka pajisur me libra tri biblioteka publike në kryeqytet dhe do të rehabilitojë shtatë të tilla. Nisma e Bashkisë së Tiranës “Dhuro një libër” është duke u shtrirë edhe në bibliotekat publike, konkretisht me dhurimin e 243 librave të rinj për bibliotekën e Njësisë Bashkiake Nr. 9, 241 për atë të Njësisë Nr. 10 dhe 240 libra për bibliotekën e minibashkisë Nr. 8. Bashkia ka vendosur që të rikonstruktojë një numër të madh bibliotekash, të cilat kanë nevojë për ndërhyrje. Në listën e bibliotekave që do të rikonstruktohen, nga Drejtoria e Përgjithshme e Politikave të Zhvillimit dhe Planifikimit bëhet e ditur se është planifikuar ndërhyrja në 7 biblioteka të njësive bashkiake. Ndërsa 3 prej tyre konsistojnë në pasurimin e fondit të librave dhe për 4 të tjera ndërhyrja për rikonstruksionin dhe rikonceptimin e tyre, si qendra të vogla të komunitetit, pranë çdo minibashkie. Pas viteve 2000 është bërë një punë e madhe për të rikthyer në gjendje funksionale bibliotekat publike, një punë që filloi me gjetjen e dokumentacionit për çdo bibliotekë dhe ndërhyrjen në to. Tashmë janë gati projektet për rikonstruksionin e disa bibliotekave, aktualisht në gjendje të amortizuar. Qytetarët kanë kohë që u janë larguar frekuentimit të bibliotekave në lagjet e tyre. Kjo për shkak gjendja e tyre ishte në kushte të këqija, qoftë nga ambienti, ashtu edhe nga mungesa e librave. Rikthimi i tyre në identitet do të mundësojë frekuentimin nga të gjitha moshat.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›