E Shtunë, 31 Tetor 2026

MSH do të ndërtojë 35 qendra të reja shëndetësore



Ministria e Shëndetësisë do të plotësojë kushtet e shëndetësore në të gjithë vendin. Rreth 35 qendra shëndetësore dhe ambulanca të reja do të ndërtohen gjatë këtij viti në disa zona të largëta të vendit. Ndërsa 40 qendra shëndetësore të tjera do t’i nënshtrohen rikonstruksionit të plotë për rehabilitimin e tyre. Për këtë vit, plani total i grantit është 100 milion lekë, nga të cilat 60 milionë lekë për ndërtimin e 35 qendrave shëndetësore dhe ambulanca te reja dhe 40 milion lekë për rikonstruksionin e 40 të tjerave. Burime nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se në shërbimin e kujdesit shëndetësor parësor, nëpërmjet grantit konkurrues në vitin 2006, janë ngritur 154 qendra shëndetësore dhe ambulanca të reja dhe janë rikonstruktuar 31 të tjera. Në vitin 2007 janë ngritur 317 qendra shëndetësore dhe ambulanca të reja dhe janë rikonstruktuar 108; në vitin 2008 janë ngritur 79 qendra shëndetësore dhe ambulanca të reja, si dhe 38 të tjera janë rikonstruktuar. Shtimi i qendrave shëndetësore në të gjithë vendin do të mundësojë marrjen e shërbimit mjekësor për të gjithë pacientët në zona të ndryshme. Njëkohësisht, synohet që për të gjithë qytetarët të mos mungojë shërbimi shëndetësore.

Numër telefonik për qytetarët që denoncojnë efektet negative të barnave
Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave po ndihmon qytetarët për shmangien e situatave që krijohen nga efektet negative të përdorimit të barnave. Për këtë arsye, pranë kësaj qendre është ngritur pak mua më parë sektori i farmakovigjilencës, i cili do të monitorojë efektin e barnave tek pacientët. QKKB –ja, në kuadër të hedhjes së hapave të parë në fushën e farmakovigjilencës ka vënë në dispozicion të qytetarëve, mjekëve, ambulancave dhe spitaleve, numrin e telefonit, 2376-045 dhe adresën informacion@qkkb.gov.al. Këto do të jenë në funksion për të mundësuar raportimin e të gjitha efekteve anësore të barnave si dhe veprimin e tyre pas periudhës së regjistrimit. Kjo nismë është marrë duke pasur parasysh nevojën e implementimit të kësaj fushe në vendin tonë, në përputhje me direktivat e fundit të OBSH-së. Farmakovigjilenca është procesi që identifikon rrezikun nga produktet mjekësore dhe monitoron cilësinë e tyre, e cila është mundësia e vetme për të siguruar barna të efektshme për pacientët. Farmakovigjilenca mungon pothuajse plotësisht, duke u bërë problematike në përmirësimin e kostos së mjekimit dhe detyrimisht në një politikë farmako-ekonomike sa më racionale. Konkretisht, nëse të sëmurit i aplikohet një medikament, i cili për një arsye apo tjetrën është me një çmim të ulët në treg, kur nuk ka sasinë e veprimit të vërtetë të medikamentit, atëherë në ciklin e dytë të kurimit ai do të detyrohet të marrë medikamente më të shtrenjta, sepse i pari nuk ka dhënë efektin e duhur. Në këtë mënyrë dëmtohet shëndeti i njeriut, si dhe rritet kostoja e mjekimit.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›