Në QSUT si në hotel, shtretërit me pagesë
Të gjithë pacientët që janë të shtruar në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza do të duhet të përballen edhe me një tjetër rregull të cilin e ka propozuar vetë drejtori i spitalit më të madh në vend për vendosjen e një kuote të caktuar për çdo natë
që do të qëndrojnë në spital. Drejtori i QSUT-së, Ilir Dashi, në një takim me komisionin e shëndetësisë ditën e djeshme ka propozuar vendosjen e një kuote të caktuar për të gjithë pacientët që shtrohen në spital e që do tu duhet të paguajnë për çdo natë qëndrimi aty. Ajo që ne duam të bëjmë është përfundimi i protokolleve të mjekimit gjatë këtij viti dhe më pas nxjerrja e kostove të shërbimeve, deri në koston hotelerike për ditë qëndrimi në spital, ka thënë dje drejtori Dashi, gjatë fjalës së tij. Në këtë takim, organizuar ditën e djeshme kanë qenë prezent edhe deputetët e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë të cilët kanë kryer një vizitë pune në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e këtij institucioni dhe shefat e pavijoneve është diskutuar për problematikat që kanë aktualisht pavijonet në QSUT dhe për të gjitha shërbimet që duhet të përmirësohen në shërbim të pacientëve. Gjatë këtij takimi deputetët kanë kërkuar mendime dhe propozime që kanë të bëjnë me sistemin shëndetësor. Sipas Dashit, një tjetër pikë që drejtoria e QSUT-së është duke e rishikuar e duke punuar për të ne është përmirësimi e situatës në çdo pavijon duke filluar nga kushtet e deri tek furnizimi me barna. Sipas tij, prioritet mbetet zbatimi i Sistemit të Referimit, por edhe hartimi i protokolleve të mjekimit dhe kostove të shërbimeve. Ndërkohë kreu i Komisionit Parlamentar Tritan Shehu ka pohuar se baza ligjore me cilën po punohet është shumë e realizuar por duhet të ketë zbatim të saj. Sipas tij, grupi parlamentar qe prezent në këtë takim për të rritur bashkëpunimin në fushën e menaxhimit spitalor, për të parë problemet që ka QSUT, por edhe për ndërhyrë aty ku duhet. Sipas Shehut, Qendra Spitalore është qendra shëndetësore më e rëndësishme në vend ku përveç kurimit ajo duhet të jetë edhe një qendër edukative. Ndaj edhe vëmendja më e madhe duhet të jetë pikërisht në këtë qendër. Ndërkohë që shefat e pavijoneve kanë diskutuar për problematiket dhe ndryshimet që duhet të bëhen në ligj. Sipas Mihal Tases, Shef Shërbimi tek sëmundjet interne rëndësi ka skema e sigurimeve shëndetësore E rëndësishme është zgjerimi i skemës së sigurimeve, pra që numri i atyre që paguajnë të jetë më i madh në mënyrë që shërbimet ti përfitojnë falas. Por një tjetër pikë e rëndësishme është edhe rritja e kësaj pagese, sepse ne jemi vendi që paguajmë më pak për shëndetin vetëm 3.4 për qind ka pohuar Tase. Ndërkohë, shefi i shërbimit të Kardiologjisë, Artan Goda ka propozuar që investimet në sektorin shëndetësor të shkojnë aty ku janë edhe pikat më të nxehta të tij. Nga ana tjetër, sipas Godës, spitali të shihet si ent publik ku të ketë buxhetin e vet. Një tjetër pikë e rëndësishme e theksuar në këtë takim ka qenë edhe stimulimi që duhet ti bëhet personelit shëndetësor, por ky të jetë i diferencuar sipas punës që ata kryejnë.
Kushtet në spitale
Edhe pse është folur shpesh për përmirësimin e dukshëm të kushteve në spitale sërish gjendja është problematike. Pacientët në shumë raste kanë ankesa se mënyra e komunikimit e mjekëve ndaj tyre lë shumë për të dëshiruar, madje ka raste që nuk mungojnë as ofendimet. Kushtet në tualetet e urgjencës së spitalit të sëmundjeve të brendshme në QSUT dhe jo vetëm aty janë problematike. Megjithëse pjesë e reformës në QSUT është edhe një infrastrukturë në nivelin e duhur për sa i përket ambienteve të spitalit, tualetet aspak higjienike uji që vjen me orar dhe në shumë raste edhe mungon por edhe mbeturinat si në ambientet e brendshme por edhe në ato të jashtme duket sikur janë lënë në harresë. Ndërkohë që lagështira është e dukshme në një pjesë të konsiderueshme të dhomave në pavijone. Edhe pse pastrueset duken në spital dhe i sheh shpesh tek përpiqen të pastrojnë korridoret e gjata sërish pastërtia është një element që duhet përmirësuar. Por më e sikletshmja është aroma e keqe e pothuajse të gjitha pavijoneve e cila të pengon të hysh në to.
Dashi: Ilaçet do ti blejmë nga të ardhurat e QSUT
Sipas një vendimi rreth një muaj më parë Drejtoria e QSUT-së duke u bazuar edhe në ligj por edhe në një rregullore të brendshme ka vendosur që këto të ardhura dytësore të cilat do te vilen nga ekzaminimet dhe analizat do të përdoren për investime në infrastrukturë, pajisje si dhe në barna. Në lidhje me këtë për herë të parë këtë vit do të ketë një mënyrë të rë të furnizimit të pavijoneve me barna, sipas kërkesave që ata kanë. Sipas vetë Drejtorit Dashi në fillim të këtij viti, çdo pavijon ka marrë një formular ku do të plotësojë barnat bazë që i nevojiten si dhe nevojat më urgjente që ka në aparatura dhe në investime. Kërkesat e tyre do të plotësohen me paratë e grumbulluara nga buxheti i shteti por edhe nga të ardhurat dytësore" Sipas Drejtorit Dashi 30 për qind e këtyre të ardhurave do të shkojnë për investime në infrastrukturë dhe 40 për qind për mallra, kryesisht për medikamente.
Arta AGOLLI