Basha: Shfajësimi i Ramës, i panevojshëm - opozita tentoi të godasë procesin e liberalizimit të vizave
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka reaguar dje, pas letrës së Ramës, drejtuar presidentit Barroso, duke deklaruar se ishte e qartë për të gjithë se ishin “bërë përpjekje për ta vonuar apo për ta dëmtuar aksionin e Shqipërisë për liberalizimin e vizave, jo nga opozita në tërësi, por nga eksponentë të opozitës dhe njerëz të afërt të Edi Ramës”
Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka reaguar dje ndaj letrës që Edi Rama i ka përcjellë një ditë më parë presidentit të Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso, për liberalizimin e vizave dhe mos ndikimin e tyre nga situata aktuale politike.
Ministri Basha e konsideroi këtë veprim si një tentativë shfajësimi të panevojshme, pasi sipas tij opozita nuk ka dhënë asnjë kontribut në procesin e lëvizjes së lirë të shqiptarëve. “është e lehtë të kritikosh sot kur kontributi yt është mjaftuar me lëvizje mbi dhe nën rrogoz kundër disa prej kritereve themelore që Shqipëria përmbushi, që qeveria shqiptare ishte e angazhuar të përmbushte në drejtim të liberalizimit të vizave. Në këtë kuadër më vjen keq, por duhet të risjell në vëmendje goditjet e dështuar ndaj integritetit të sistemit të dokumenteve të sigurta, të letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, apo deklarata të tjera të papërgjegjshme përsa i përket potencialit migrator të Shqipërisë, apo sigurisë së kufijve, luftës kundër krimit etj. Gjithsesi qeveria mbetet e angazhuar për të përmbushur të gjitha kriteret e Komisionit Evropian, për përfitimin e lëvizjes së lirë në “Schengen””- u shpreh ministri Basha. Ai vuri në dukje se gjatë gjithë këtij procesi të gjatë, opozita s’ka luajtur asnjë rol, duke u vetë përjashtuar nga kursi i reformave të ndjekura nga qeveria. “Kuptimi thelbësor që është vërejtur me shqetësim janë përpjekjet për ta vonuar apo për ta dëmtuar qoftë edhe nga ana e imazhit përpjekjen e Shqipërisë për liberalizimin e vizave jo nga opozita në tërësi por nga eksponentë të rëndësishëm të opozitës”- vuri në dukje Basha. Ai e cilësoi letrën e Edi Ramës drejtuar komisionerit të BE si një shfajësim të panevojshëm, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në asnjë prej ligjeve dhe reformave të miratuara në parlament, të cilat kanë qenë të lidhura direkt me procesin e liberalizimit të vizave.
Vendimin e KE-së për vizat, ministri Basha e konsideron si sfidë madhore për Shqipërinë/Vetëm një ditë pasi Kolegji i komisionerëve miratoi rekomandimin e KE-së për liberalizimin e vizave për Shqipërinë është mbajtur në Tiranë një forum në lidhje me këtë proces. Në fjalën e tij, ministri i brendshëm Lulzim Basha ka theksuar se heqja e vizave është një sfidë e madhe për Shqipërinë. Sipas tij, arritjet e Shqipërisë në drejtim të këtij procesi të rëndësishëm është si pjesë përbërëse e bashkëpumimit me strukturat e Bashkimit Europian në shumë fusha. Ai shtoi më tej se vendi ynë i është përgjigjur në kohë rekordë sfidës madhore për liberalizimin e vizave por theksoi se sigurimi i kufijve është edhe kushti thelbësor për këtë proces. Ministri Basha u ndal në fjalën e tij në rrugën e gjatë me shumë sfida, por të suksesshme në të cilën ka ecur Shqipëria për përmbushjen e standarteve dhe kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Europian në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave. Modernizimin e sistemit të lëshimit të dokumenteve të identitetit, Basha e cilësoi parakalim epokal nga një vend me praktika post-otomane në regjistrin civil në praktikat më bashkëkohore dhe më modern.
Duke informuar mbi modernizimin me anë të teknologjisë e standardeve më të larta ndërkombëtare të sistemit të kontrollit kufitar, Ministri Basha u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor, i cili ka integruar plotësisht të 24 pikat e kalimit kufitar, duke i pajisur ato me sisteme ndërlidhjeje online, duke eleminuar praktikën shumë shekullore të letrës dhe lapsit, dhe të 24 pikave të kalimit kufitar me Sallën Operacionale në Tiranë, duke kontrolluar në një format audiovisual çdo lëvizje të qytetarëve shqiptarë, atyre të vendeve të tjera dhe personelit të kontrollit të kufirit, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit. “Domethënia e këtyre investimeve, që do t’i quaja epokale, nuk kufizohet vetëm me vlerësimin jashtëzakonisht pozitiv të BE për këtë bllok dhe po ashtu me tre blloqet e tjera për liberalizimin e vizave. Domethënia e një kufiri të padepërtueshëm nga krimi është domethënia e një kufiri të hapur dhe lehtësisht të përshkueshëm nga qytetarët e Shqipërisë, të vendeve fqinje, vendeve anëtare të BE-së dhe të vendeve të treta, është domethënia e bashkëngjitjes së Shqipërisë, zonës Schengen, me praktikat më moderne, më efikase të kontrollit të kufirit, bashkëngjitje e cila natyrisht do të bëhet e plotë dhe e pakthyeshme me anëtarësimin e plotë të vendit tonë në BE”,- u shpreh Ministri Basha. Ministri i Brendshëm Basha deklaroi më tej angazhimin dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të përmbushur edhe detyrat shtesë të komunikuara nga Komisioni Europian deri në vendimin final për liberalizimin e vizave.
Gjatë fjalës së tij Basha vlerësoi se heqja e vizave për qytetarët shqiptarë do të ketë edhe përfitime të drejtpërdrejta ekonomike, por mbi të gjitha është çështje dinjiteti. “Liberalizimi i vizave në terma ekonomikë do të thotë se ekonomia shqiptare, qytetarët shqiptarë nuk do të duhet më të shpenzojnë midis 70 -90 milion euro në vit duke paguar tarifat konsullore, ne ambasadat e BE-së. Kjo është një shumë e konsiderueshme, e cila përfaqëson 0.5-0.8 % të prodhimit bruto të vendit, por edhe një çështje dinjiteti për qytetarët e një vendi, i cili historikisht, kulturalisht, ka qenë në zemër të Europës, për qytetarët e një vendi që ka provuar se përmes marrjes me seriozitet dhe përkushtimit ndaj reformave që transformuan të gjitha aspektet e sigurisë, ka jo vetëm vullnetin politik, por edhe të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ecur me shpejtësi drejt rrugës së anëtarësimit të plotë në BE” - tha më tej, ministri i Brendshëm Lulzim Basha.