“Pas raportit për vizat, KE do të aprovojë edhe kërkesën për statusin kandidat”
Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu vizitë në Itali, takon ministrin për Politikat Evropiane të Italisë, Ronchi si dhe mban një leksion të hapur në “La Sapienza”
Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu zhvilloi një vizitë një ditore në Itali, u zhvilloi një takim me homologun e saj Andea Ronchi. Gjatë takimit ministrja Bregu, prezantoi arritjet e fundit të Shqipërisë në fushën e integrimit dhe ecurinë e projekteve të përbashkëta mes Italisë dhe Shqipërisë. Duke vlerësuar këtë marrëdhënie partneriteti të shkëlqyer mes dy vendeve, ministrja Bregu kërkoi asistencën e mëtejshme të qeverisë italianë në fusha si përafrimi i legjislacionit me ‘acquis communitaire’ dhe trajnime për administratën publike. Nga ana e tij, ministri italian për Politikat Evropian, vlerësoi arritjet e qeverisë shqiptare, si rezultat i të cilave Komisioni Evropian përpiloi raportin pozitiv për marrjen e vendimit për liberalizimin e vizave. “Komisioni Evropian ka nënvizuar kohët e fundit progresin thelbësor të arritur nga Shqipëria në reformat politike, ekonomike dhe sociale. Jemi të informuar se Komisioni është duke vlerësuar dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Synimi është që kjo të arrihet në kohën më të shkurtër të mundshme, nëse është e mundur edhe tani. Rilançimi i perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit, dhjetë vjet pas Samitit të Zagrebit, rikonfirmon angazhimin e Evropës në rajon”- u shpreh ministri Ronchi. Ai u shpreh entuziast për hartimin e një protokolli mes Shqipërisë dhe Italisë, ku do të përfshihen fusha konkrete bashkëpunimi që do t’i afrojnë akoma më shumë dy vendet tona. Ministrja Bregu duke vlerësuar këtë marrëdhënie partneriteti të shkëlqyer mes dy vendeve, kërkoi asistencën e mëtejshme të qeverisë italianë në fusha si përafrimi i legjislacionit me ‘acquis communitaire’ dhe trajnime për administratën publike.
Më tej, vizita e ministres Bregu vijoi në universitetin “ La Sapienza” në Romë.
Në leksionin e hapur “Integrimi i Shqipërisë në BE, një rrugëtim dhe një plan”, me studentët e këtij universiteti ministrja prezantoi ecurinë e procesit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Duke u ndaluar kryesisht në çështjet më të ndjeshme për shqiptarët që jetojnë dhe studiojnë jashtë Shqipërisë, ministrja Bregu nënvizoi reformat në ekonomi, arsim dhe rendin publik, të cilat e kanë transformuar Shqipërinë në një vend më atraktiv për investitorët e huaj dhe vendas, më të sigurt për qytetarët dhe me një perspektivë të qartë evropiane. Në përgjigje të interesit të studentëve për mundësinë e rikthimit e të punësimit, pas studime, në Shqipëri, ministrja Bregu theksoi edhe një herë se nismat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për të thithur trurin, si programi ‘Brain Gain’ e shpërblimi për diplomat e huaja kanë dhënë rezultatet konkrete vitet e fundit. Ministrja Bregu i siguroi studentët se do të ketë akoma më shumë inisiativa të tilla të cilat do të favorizojnë rikthimin e trurit në Shqipëri.