E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopenhageni konfirmon qëndrimin ‘pro’ integrimit të Shqipërisë në BE

Zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, vizitë në Danimarkë, takohet me homologen e tij Espersen

Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta zhvilloi një vizitë në Danimarkë ku u prit në një takim nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, znj. Lene Espersen. Gjatë takimit z. Meta dhe znj. Espersen diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet në rajon si dhe rreth rritjes së bashkëpunimit ekonomik.
Dy homologët vlerësuan se marrëdhëniet Shqipëri-Danimarkë janë shumë të mira dhe shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e tyre në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë. Në këtë kontekst, z. Meta çmoi kontributin e vyer që Danimarka ka dhënë në konsolidimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, përmes projekteve konkrete në mbështetje të shoqërisë civile.
Duke vënë në dukje stadin e ri të zhvillimit në Shqipëri, z. Meta, theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve duhet t’i përgjigjen kërkesave të reja të bashkëpunimit dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të mirëpritur investimet daneze në vend, duke nënvizuar potencialet dhe avantazhet që Shqipëria ofron për investitorët e huaj.
Nga ana e saj, znj. Espersen shprehu interesin për të inkurajuar kompanitë daneze që të investojnë në Shqipëri, veçanërisht në fushat e energjisë, agro-përpunimit dhe turizmit. Në këtë kuadër, u vu theksi tek rritja e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe u diskutua mbi mbledhjen së shpejti të Forumit Ekonomik Shqipëri-Danimarkë, me qëllim zgjerimin dhe thellimin e shkëmbimeve tregtare.
Gjithashtu, z. Meta dhe znj. Espersen biseduan edhe mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, znj. Espersen e uroi z. Meta për Propozimin e Komisionit Evropian lidhur me udhëtimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë, duke vlerësuar këtu punën e autoriteteve shqiptare në përmbushjen e kërkesave të Udhërrëfyesit. Gjithashtu, znj. Espersen shprehu mbështetjen e Danimarkës për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së reformave si dhe të përmirësimit të klimës politike në vend, me qëllim afrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me BE.
Nga ana e tij, zv/kryeministri Meta informoi znj. Espersen mbi masat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e siguroi atë për vendosmërinë e qeverisë për të realizuar zbatimin sa më efikas të tyre në funksion të aspiratave integruese të vendit. Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, z. Meta shprehu vullnetin e plotë të qeverisë për të akomoduar kërkesat e ligjshme të Opozitës përmes dialogut konstruktiv, si dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të qëndrueshme, brenda kornizës kushtetuese dhe duke respektuar parimin e transparencës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›