Armando Lulaj sjell në vëmendje vitin 1997
Ata janë katër artistë, të cilët janë mbledhur së bashku për të ekspozuar në Bologna të Italisë në veprimtarinë e titulluar "Playlist. Burime të pavullnetshme". Meris Angioletti paraqitet me veprën e titulluar "Il paradigma Indiziario", "Shooting on the Dam" është vepra e Rossella Biscotti, "Untutored Eye" e artistit shqiptar, Armando Lulaj, "Piazza Plebiscito" e Giulia Piscitelli kanë sjellë në mënyra të ndryshme burimet e tyre të pavullnetshme në këtë ekspozitë. Në thelb të këtyre burimeve bëjnë pjesë ato që e shkuara na ka lënë pas edhe pse pa qëllim. Këto burime janë të krahasueshme me të dhëna që na transmetojnë ose sugjerojnë informacione, ndoshta edhe pse jo të plota, siç edhe janë pikërisht të dhënat. Ajo që artistit shqiptar, Armando Lulaj, i ka bërë përshtypje dhe ka dashur të përcjellë prej realitetit shqiptar në veprën e tij të titulluar "Untutored Eye" (Syri i paedukuar), ka të bëjë me faktin se si në varrezat e Shqipërisë ka një rritje të frikshme të numrit të të vdekurve duke nisur prej vitit 1997. Sipas Lulajt, në pjesën më të madhe të rasteve ata janë djem t rinj. Viti ‘97 ka qenë një vit shumë i vështirë për Shqipërinë, por shumë fitimprurës për korrupsionin dhe për shumë Arturo Ui-të. Për politikanët shqiptarë dhe të huaj, për tregtinë e armëve, prostitucionin dhe drogën. "Nuk doja të bëja një dokumentar, as një film ku të dilnin të gjithë të inkriminuar, edhe pse e deklaroj se është një sfidë e madhe që prej shumë vitesh më ngacmon. Të realizoj një film të zi. Mund edhe ta titulloj: "1997, arratisje nga Shqipëria!". Shumë artistë të rinj kanë provuar të paraqesin diçka në lidhje me ngjarjet e vitit 1997, por duket se të gjitha portat mbyllen kur nis të kërkosh fonde dhe materiale në lidhje me atë vit", tregon artisti shqiptar. Sipas tij gjithçka është sekuestruar. "Regjisorëve u thuhet: ‘Shkoni të kërkoni artin në ndonjë vend tjetër, ne nuk financojmë filma politikë, por filma artistikë. Arti nuk ka të bëjë me politikën‘. Por kjo nuk ka kuptim...", thotë më tej Lulaj duke shtuar se ata që i thonë këto fjalë janë njerëz që deri dje interpretonin në teatër vepra si "Persianët" e Eskilit, "Arturo Ui" të Brehtit. Ai vijon më tej duke shtuar se "Persianët" është tragjedia e parë që dokumenton një luftë dhe e dyta është një vepër që rrëfen se si ngrihen në detyrë Hitlerët e historisë. "Me "Untutored Eye" doja të nxirrja në dritë strukturën e skenarit për të cilin fola pak më sipër. Duke përdorur këtë koncept parë me syrin e atij që nuk di, si një i porsalindur që me aktin e të parit të botës për herë të parë, e përdhunon atë; kam bërë diçka duke parë me syrin e pamësuar të perëndimit që përdhunon në kuptimin e ngushtë kulturor kulturat e shumë vendeve, duke shtypur me këmbë gjithçka që nuk tërheq planin e vendosur prej sistemit. Doja të dokumentoja gjithë këtë dhunë që është rrokullisur me një fuqi vrasëse", vijon më tej artisti. Duke u nisur nga kjo ide ai mori një telekamera të vogël dhe e vendosi brenda një topi basketbolli. E hodhi atë në të gjitha rrugicat e varrezave. "Imazhet shikojnë, prekin, dokumentojnë. Shfaqen fantazma reale dhe imagjinare. Gjithçka vazhdon kështu derisa telekamera prishet prej një goditjeje. Nuk i përgjigjet më asnjë komande dhe gjeneron imazhe të rastësishme. Kështu telekamera çmendet", përfundon Armando Lulaj.