E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Në Shqipëri ende tabu filmat për të drejtat e njeriut”

• Të bërit film për të drejtat njerëzore, psikologjinë, traumat a posttraumat, vështirë të riskohet në Shqipëri.ANILA MEMATë tillë, ndonëse të rrallë, vitet e fundit kanë filluar të ndërtohen mbi arkiva filmimesh. Por padyshim janë të paktë! Pavarësisht se në Shqipëri ka më se tre vjet që ka hedhur krye një festival i tillë kinematografik që trajton të drejtat e njeriut, ato që kanë mbizotëruar më tepër ka qenë dhe mbetet kinematografia amerikane. Fakt ky që e pohon edhe vetë drejtori ekzekutiv i këtij festivali në Shqipëri, kineastri dhe regjisori Kujtim Çashku. Dje gjatë një konference për shtyp, ku është prezantuar çelja e edicionit të tretë të këtij festivali, e cila do të bëhet nesër deri më 23 mars, janë bërë me dije edhe filmat pjesëmarrës në të. “Janë 28 filma të zgjedhur që vijnë nga kontinente të ndryshme dhe trajtojnë problematika të shoqërive respektive, që në një farë mënyre kanë disa lidhje me atë çka përjeton shoqëria shqiptare. Janë filma që sjellin kryesisht botën totalitare, apo post totalitare të sistemeve, të cilat në një farë mënyre kanë vuajtur dhe kanë përjetuar sisteme represive. Janë filma të ndaluar për momentin në vendet e tyre, kështu që në këtë rast kemi fatin t’i shfaqim në Shqipëri. Nuk është kaq e lehtë të trajtosh sot probleme të të drejtave të njeriut, se ende për këto probleme dhe në vendet perëndimore quhen tema tabu për t’u trajtuar”, shprehet regjisori Çashku. Ndërkohë festivali mund të quhet, sipas tij, kurajoz, pasi nëpërmjet tij sillen faktografi tronditëse nga kontinent të ndryshme. Ndërkohë nga kinematografia shqiptare janë zgjedhur vetëm dy. “Të dy filmat shqiptarë që marrin pjesë në festival, meqë jemi marrë me sistemet represive totalitare, vënë në fokus post traumat e shoqërisë shqiptare. Filmat sjellin njerëz dhe pse në një farë mënyre sistemi ka ndryshuar, ato gjenden akoma në kushte të tilla që nuk kanë arritur të integrohen në shoqërinë shqiptare. Jetojnë në të njëjtat kushte”, shton Çashku. Filmi “Dhimbje... shpresë” bën fjalë për gra të ekzekutuara gjatë regjimit komunist, që jetojnë në po ato vende duke filluar nga Musine Kokalari dhe deri gra aspak të njohura. Është një prodhim i TVSH-së. Ndërsa tjetri është ai me titull “Mjekët e thinjur”. “Të gjithë e dimë sa e vështirë është për t’i trajtuar këto probleme. Këtu na mungon trajtimi i problemeve tona të shkeljes të të drejtave të njeriut dhe në Shqipëri thuajse mungojnë filma të tillë”, thotë regjisori. Ndërkohë një nga iniciatorët e parë të themelimit të këtij festivalit, Teodor Orlin vjen në Shqipëri pas një udhëtimi nga Rumani, Bullgaria e Kosova. Tregon se kohët e fundit kontaktet e tij me njerëz që janë në mbrojtje të vazhdueshme të të drejtave të njeriut kanë qenë të shumtë. “Jam i lumtur të konstatoj që aty ka një fillim të ri dhe në kokat e tyre ka gjithmonë kreativitet për t’u admiruar. Në Prishtinë kjo duket qartë. Aty nisin ndjesitë e para se çdo të thotë të jesh i pavarur. Ndërsa në Rumani ka një zhvillim të jashtëzakonshëm prej vitit 1992 kur kam qenë fillimisht atje” tregon Orlin, duke shtuar se kjo s’do të thotë aspak se në këto shoqëri nuk ka probleme të mëdha. “Janë të shumta problemet e reja që janë shfaqur. Ky lloj kalimi duhet të shoqërohet me perceptime dhe vizione të reja për të ardhmen. Kjo është shumë e vërtetë edhe këtu në Shqipëri. Nuk është e lehtë të ndryshosh mentalitetet. Njerëzit kanë tendencë për të harruar se ç’ka ndodhur. Na duhen të rinjtë që t’i kuptojnë të drejtat, të ngulen në kokat e gjeneratës së re, të atyre që do të ndërtojnë të ardhmen”, shton ai.“Vdekja e zotit Lazaresku”,Rumani 2005, 148 minDhimbjet e padurueshme të kokës dhe të stomakut e detyrojnë Z. Lazaresku të thërrasë ambulancën, duke nisur kështu një udhëtim plot të papritura nëpër spitalet e Bukureshtit. Alkooli në frymën e tij së bashku me fatin e tij ironik, bëjnë që Z. Lazaresku të trajtohet me përbuzje dhe indiferencë. Mioara është e vetmja që lufton në mënyrë të admirueshme plot dashuri dhe dhembshuri për jetën e tij. Regjia Cristi Puiu.“Lista e Karlës”,Zvicër 2006, 101 min  Në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për ish-Jugosllavinë, një grua lufton për drejtësi – për kriminelët e luftës, të cilët janë të lirë dhe nuk janë ekstraduar. Emri i saj është Karla del Ponte, Prokurore e Përgjithshme. Edhe pse pjesa më e madhe e krimeve nuk janë ndëshkuar, Karla sjell një shpresë të re. Lista e Karlës jep skena të konfrontimit dhe zhgënjimit, ndërsa përpiqet të sjellë autorët e krimit në Hagë. Këto momente bashkëshoqërohen me realitetin e dhimbshëm të viktimave, shumë prej të cilave janë duke vuajtur ende, duke ditur që përgjegjësit e tyre janë në gjendje të lirë. Imazhet e varreve të zymta ballafaqohen me kamjen e politikës së lartë. Regjia Marcel Schupbach.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›