“Komunitetit gjirokastrit po i zbehen ndjenjat patriotike”
• GJIROKASTER – “Mungesa e aktiviteteve me rastin e 100-vjetorit të luftës së Mashkullorës nuk tregon vetëm indiferencën e shtetit, por dhe zbehjen e ndjenjës patriotike”. Sot përkujtohet jubileu i luftës së patriotëve shqiptarë ndaj pushtuesve osmanë në fillim të shekullit 20-të. Por, me këtë rast sekretari i forumit të intelektualëve të Gjirokastrës, Baftjar Dobi shprehet se komuniteti, ndonëse i prekur nga probleme të përditshme sociale dhe ekonomike, nuk duhet të lërë në një anë të kaluarën e tij. Zoti Dobi, sot është 100-vjetori i luftës së Mashkullores. Si do ta konsideronit këtë datë historike?Duke mos bërë histori, pasi çdokush e di historinë e betejës në Mashkullorë, dua të theksoj se çeta e Çerçiz Topullit, është njohur si formacion thjesht luftarak, por dua të theksoj se, ajo ka qenë e pasur me njerëz të ditur. Ajo i ka rënë mes për mes Shqipërisë jo vetëm për të luftuar ushtrinë osmane, por edhe për të përhapur gjuhën shqipe, kulturën e hershme të kombit etj. Varret e rilindësve në Gjirokastër janë në një gjendje tejet të mjeruar. Si ndiheni për këtë?Unë e kam përjetuar dhe po e përjetoj thellësisht indiferencën e treguar qoftë nga pushteti lokal, por edhe nga ai qendror i lënies në harresë të objekteve që tregojnë historinë. Rilindësit nuk janë vetëm vlerë e Gjirokastrës, por e të gjithë Shqipërisë dhe për këtë kontributi i shtetit për mirëmbajtjen e varreve është detyrim. Ne si forum e kemi ngritur zërin mjaft herë për të përqendruar vëmendjen tek objektet historike, që kanë vlerë por përfaqësuesit e shtetit nuk kanë reaguar. A do të zhvillohet ndonjë aktivitet në Gjirokastër për këtë përvjetor?Nuk gjej fjalë për të shprehur pikëllimin tim rreth kësaj indiference të treguar nga strukturat e shtetit, aq më tepër me lojën e kungulleshkës që rëndom zhvillohet nga përfaqësuesit e shtetit për delegim kompetencash dhe fondesh. Për 3-4 milionë lekë të vjetra më tepër, nuk është zhvilluar asnjë aktivitet kulturor që të përmendë këtë etapë të vyer të historisë sonë.Hallet dhe problemet e përditshme me të cilat ndeshen sot gjirokastritët, nuk lënë vend që vetë komuniteti të organizohet e të kontribuojë financiarisht për të kremtuar këtë 100-vjetor. Në këtë rast, shqetësim nuk është vetëm indiferenca e shtetit karshi ruajtjes së vlerave historike përfshirë edhe objektet, por fashitja dalëngadalë e ndjenjës patriotike.