E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët, betejë kundër forcave të UNMIK

• Forcat ndërkombëtare në Mitrovicë u sulmuan dje nga qindra protestues të tërbuar të cilët zhvilluan një betejë të vërtetë kundër tyre duke i goditur më gurë, granata dhe municione të tjera.Forcat e OKB dhe NATO-s janë përgjigjur me gaz lotsjellës, granata dhe plumba në ajër. Të paktën 42 forca të OKB dhe NATO dhe 70 protestues u plagosën në dhunën më të ashpër të ndodhur në Kosovë që pas deklaratës së pavarësisë muajin e kaluar. Policia e UNMIK-ut hyri me forcë në gjykatën ndërkombëtare për të arrestuar dhjetëra serbë të cilët kishin pushtuar ndërtesën e OKB-së që pas protestave të së premtes për deklaratën e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. “Kundër misionit paqeruajtës ndërkombëtar në Kosovë, KFOR, që udhëhiqet nga NATO-ja, është hapur zjarr nga armët automatike, gjatë trazirave të serbëve në veri të Mitrovicës”, ka deklaruar për “Reuters” një zëdhënës i KFOR-it francez. Protestues të lënduar serbë janë trajtuar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës. Autoritetet e rendit në Kosovë kanë deklaruar se janë shfrytëzuar mjete të ndryshme shpërthyese nga protestuesit serbë, gjë që ka nxitur edhe tërheqjen e policisë së Kombeve të Bashkuara nga veriu i Mitrovicës. Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani. “Pas sulmeve me mjete shpërthyese, që dyshohet të jenë granata dore dhe armë zjarri, policia është urdhëruar që të tërhiqet nga veriu i Mitrovicës, që situatën ta ketë nën kontroll KFOR-i. Tërheqja e tyre bëhet për shkak të sigurisë. Ndërsa, situata në pjesën tjetër të Kosovës është e qetë. Ata janë tërhequr nga Mitrovica e Veriut; në komunat tjera, Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe në gjithë pjesën tjetër të Kosovës, duke përfshirë edhe kufijtë, situata është e qetë”, tha Elshani. Zëdhënësi i KFOR-it, Jean Luc Cotard, ka pranuar se situata aktuale në veri të Mitrovicës është e tensionuar. 70 protestues serbë, të lënduar në protesta janë trajtuar në qendrën spitalore në veri të Mitrovicës, dy prej të cilëve thuhet se janë në gjendje më të rëndë. Përplasjet e sotme kanë nisur pas ndërhyrjes së policisë së Kombeve të Bashkuara dhe forcave paqeruajtëse në Kosovë, për të rikthyer kontrollin mbi ndërtesën e Gjykatës së Qarkut dhe Gjykatës komunale në veri të Mitrovicës. Kjo ndërtesë është okupuar, të premten që shkoi, nga disa protestues serbë, akt ky të cilin autoritetet vendore dhe ndërkombëtare e kanë cilësuar si vandalizëm. Kryetari i Këshillit Kombëtar Serb në Mitrovicë, Nebojsha Joviç, ka kërkuar nga Beogradi “që të ushtrojë presion tek UNMIK-u dhe të qartësojë nëse Kosova, siç thuhet, është pjesë e Serbisë”. Sipas tij, komuniteti serb nuk e ka dashur dhunën e sotme, por sot është arrestuar drejtësia nga, siç ka thënë, kriminelët dhe ata që ushtrojnë dhunë. Ai i quan zhvillimet e sotme një skenar që për synim, sipas tij, kanë krijimin e kaosit, por në të cilin nuk guxon të ketë të lënduar apo viktima. Në Mitrovicë dje ishte i pranishëm ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç, i cili ka bërë thirrje për protesta paqësore, por, megjithatë, ka kritikuar UNMIK-un për trazirat e sotme në Mitrovicë. Tadiç: UNMIK, KFOR të vetëpërmbahen Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje pas përleshjeve në pjesën veriore të Mitrovicës. Thirrjet e Tadiç iu drejtuan policisë së UNMIK-ut dhe paqeruajtësve të NATO-s që të “përmbahen nga përdorimi i forcës” kundër protestuesve serbë, thuhet në komunikatën e lëshuar nga presidenca serbe. “Një reagim i tillë i tepruar me përdorim jo-proporcional të forcës mund të shkaktojë shkallëzim të trazirave në tërë territorin e Kosovës”, tha Tadiç.Thaçi, Faith dënojnë dhunën në Mitrovicë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe shefi i misionit të BE-së, Peter Faith kanë dënuar dhunën e protestuesve serbë ndaj policëve të UNMIK-ut dhe KFOR-it. Pas një takimi të përbashkët i dhanë mbështetje të fuqishme UNMIK-ut në përpjekjet për vendosjen e rendit dhe qetësisë në pjesën veriore të Kosovës duke i vlerësuar si të paligjshme protestat e djeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›