“Benzi” fluturon në trotuar, 3 të plagosur
• TIRANE – Dy aksidente të rënda kanë ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet.Ngjarja e parë automobilistike është regjistruar në rrugën “Ali Demi”, kur Denis Xhixha, 18 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar makinën e tij tip “Benz”, pranë shkollës “Kushtrimi i Lirisë” ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit duke dalë nga rruga. Si pasojë e këtij aksidenti mësohet se është plagosur një kalimtar që ndodhej në trotuar, një drejtues motori që po kalonte në rrugën kryesore në atë moment si dhe është dëmtuar një makinë tjetër, e cila u godit nga automjeti i aksidentuar. Makina ka fluturuar në trotuar dhe për pasojë, sipas policisë, ka aksidentuar një kalimtar. Sipas hetimeve, drejtuesi i makinës së aksidentuar duke tentuar për të dalë përsëri në rrugën kryesore, ka aksidentuar një biçiklist si dhe ka goditur një automjet tjetër. Policia tha se i arrestuari 18-vjeçar më pas është larguar duke braktisur automjetin rreth 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Policia shkoi në vendin ku ndodhi aksidenti dhe fillimisht u ka dhënë ndihmë të plagosurve, duke i dërguar ata në spitalin “Nënë Tereza”. Pas hetimeve të para materialet në ngarkim të Denis Xhixhës i kaluan Prokurorisë për veprën penale “shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor”, “drejtim të automjetit pa dëshmi aftësie” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Ndërkaq, një tjetër aksident ka ndodhur në Tiranë pak orë pas ngjarjes së parë. Dje rreth orës 21:00, në rrugën e Kavajës, 25-vjeçarja Alida Abazi, banuese në Yzberisht, duke qarkulluar me motor tip “Piaxho” pranë shkollës së Hoteleri-Turizmit ka humbur kontrollin e drejtimit të motorit, duke u rrëzuar dhe për pasojë është aksidentuar. “Kjo shtetase është dërguar në QSUT në gjendje të rëndë shëndetësore”, thanë burimet zyrtare nga policia. Shërbimet e Policisë Rrugore mësohet se kanë kryer veprimet procedurale për këtë ngjarje dhe materialet i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.