Gramsh, vetëvritet ish-pronari i Turizmit
• GRAMSH – Vetëvritet ish-pronari i Turizmit në qytetin e Gramshit. Shkëlqim Velçani, 55 vjeç, aktualisht kishte në pronësi të tij një lokal në qytet, prej nga është hedhur për t’i dhënë fund jetës.Ngjarja e rëndë u shënua rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme. Sipas policisë së qytetit, Velçani ishte ngjitur në katin e tretë të lokalit, i cili ndodhet në qendër të qytetit të Gramshit, ka dalë në ballkon e më pas është vetëhedhur. Si pasojë e përplasjes së fortë me tokën, vdekja ka qenë e pashmangshme për të. Burime të policisë bëjnë të ditur se paraprakisht grupi hetimor që nisi punën për të zbardhur ngjarjen konstatoi se shkak i vetëvrasjes është bërë depresioni i rëndë. Gjithsesi hetimet vazhdojnë ndërsa policia e Gramshit ka shoqëruar për në komisariat dëshmitarët, të cilët kanë parë 55-vjeçarin të hidhej nga lartësia. Mësohet se Velçani, ish-pronar i Turizmit, prej vitesh jetonte në Durrës, por shumë shpesh qëndronte në Gramsh pasi administronte një lokal në qendër të tij. Pritet që mbërritja e familjarëve dhe dëshmitë e tyre të zbardhin nëse viktima ka pasur probleme që e shtynë drejt vetëflijimit. a.k