E Diel, 1 Nëntor 2026

Duke pritur “të Huajt” Nga Lorenc Vangjeli Në Tiranën politike presin raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR. Shqipëria tjetër, ajo që ishte tifoze, e fituar ose e humbur nga këto zgjedhje apo dhe krejt indiferente ndaj tyre, është me pushime, sepse ver

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Duke pritur “të Huajt” Nga Lorenc Vangjeli

Në Tiranën politike presin raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR. Shqipëria tjetër, ajo që ishte tifoze, e fituar ose e humbur nga këto zgjedhje apo dhe krejt indiferente ndaj tyre, është me pushime, sepse vera është stina ideale për cilëndo qeverisje. Shqiptarët e mësuar me pak rërë, diell dhe det ndjehen të lumtur me këtë trinom dhe pak mendojnë për atë çfarë mbeti prapa dhe aq më pak, për atë që do t´i presë në të ardhmen. Në verë nuk të bën shumë përshtypje, edhe nëse mungojnë dritat, edhe nëse mungon uji; nuk bëjnë shumë përshtypje madje edhe nëse ndodhin, siç ndodhin gjithmonë, tragjedi njerëzore. Në verë çmimet e frutave dhe zarzavateve janë më të lira dhe njerëzit durojnë më lehtë vapën se të ftohtin. Në verë, cilido shqiptar bëhet pak turist dhe sillet drejt problemeve të tij vetjake dhe problemeve të të gjithë vendit me pozicionin dhe nga pozicioni i turistit. Është ajo pjesë e vitit, kur thuhet se “truri gradohet në zero”. Por përtej kësaj zeroje, ka dhe një tjetër të tillë në pritje e sipër për t´u “shkelur” dhe ajo është baza, niveli apo dita zero, kur do të duhet të nisë punë qeveria e re. Dhe deri më atëherë, edhe raporti i arbitrave tanë ndërkombëtarë të zgjedhjeve do të jetë një kuriozitet më shumë për t´u shuar e me të gjitha gjasat, një argument më shumë për të justifikuar rezultatin e papritur nga një anë dhe një premtim më shumë për ndryshim e përmirësim në të nesërmen, për atë që mendohet se ka deformuar rezultatin.

Në Tiranën politike, të paktën në kampin e fitimtarëve, me të gjitha gjasat raporti do të pritet me një lloj buzëqeshjeje çliruese: e hoqëm dhe këtë zahmet! Tani të shohim të qeverisim këtë vend!

Raporti parashikohet se do të flasë me tone të ashpra dhe do të përmendë që nga përdorimi i administratës dhe vënia e saj në presion politik, problemi i kartave të identitetit, shpenzimet marramendëse të kryera e deri te procesi i dyshimtë i numërimit të votave, i keq dhe shumë i keq në një të tretën e qendrave ku ai u krye. Ndoshta raporti do të përmendë edhe atë batalion të burgosurish të liruar nga qelitë me leje shpërblyese për të bërë fushatë e më shumë se kaq për Partinë Demokratike, ndoshta do të përmendë - provat ekzistojnë - faktin e kompromentimit të shumë kandidatëve të djathtë për deputetë me figura të botës së krimit. Shumë nga ta dalin në përgjime direkt telefonike dhe ky fakt nuk është më sekret.

Arbritrat tanë e dinë më mirë se kushdo tjetër që edhe kësaj radhe Shqipëria eci përpara në procesin elektoral me stilin e gaforres, jo drejt, por anash.

Të gjithë bashkë këta elementë do të jenë shkaku që edhe kësaj radhe standardet, ato që normalisht duhet të konsideroheshin beteja kryesore e klasës politike, nuk janë realizuar. Por dhe kjo nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe. Shqipëria është një vend sovran, anëtar i NATO-s dhe po tenton të fusë këmbët në BE që prej 20 vjetësh. Edhe pse sipas modelit tonë ballkanik. Nuk ndryshon gjë, edhe sepse përtej këtyre, arbritrat tanë të huaj, që herë na marrin seriozisht dhe herë qeshin me provincializmin tonë ekstrem, do të duhet të zgjedhin e të bëjnë një zgjedhje të vështirë, por dukshëm të paravendosur: mes stabilitetit të vendit dhe të vërtetës që ndodhi me standardet e zgjedhjeve më 28 qershor. Përtej kësaj, ata kanë një zgjedhje të paracaktuar që shkon te detyrimi - sa është i tillë në fakt? - për të bashkëpunuar me atë që mund të krijojë qeverinë. Edhe nëse ajo ka një legjitimitet të cenuar. Dhe pastaj historia do të nisë nga e para: ata do të ofrojnë sërish kurën “elegante” evropiane për infeksionin e rëndë të demokracisë shqiptare - frakturimin e vullnetit të votuesit - dhe do të na lejojnë që të presim që ky infeksion të shërohet me antibiotikë. Ose thënë më hapur, do të ofrohen aspirina për kancerin akut të demokracisë së vendit. Dhe kështu ndoshta deri në momentin kur ata të vendosin që të mos jenë më thjesht dhe vetëm partnerë të Tiranës zyrtare, por të bëhen, qoftë dhe vetëm për një moment, palë me qytetarin shqiptar. Që t´i thonë atij direkt të vërtetën e tyre: kjo klasë politike që shkëmben akuza reciproke për kriminalizim të ndërsjellët, ka kryer sërish krimin e zakontë: futi duart në zgjedhje! Pastaj nuk ka rëndësi çfarë ndodh, sepse duke perifrazuar mençurinë e vjetër latine: le të thuhet e vërteta, pastaj le të vijë kiameti!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›