Në Tiranë plas lufta e meritave për ratifikimet, por Sllovenia kërcënon sërish
Ndërsa në Shqipëri ka nisur që tani një garë e ethshme për të marrë meritat për ratifikimin e shpejtë të dokumentit të aderimit të Shqipërisë në NATO nga vendet e kësaj organizate, rreziku që vjen nga Sllovenia nuk është zhdukur ende, madje është theksuar.
Por për këtë pakkush flet.
Dje, Tirana zyrtare ishte entuziaste, për shkak se Holanda dhe Greqia kishin mbyllur ratifikimin. Kështu përmbyllet kapitulli i ratifikimeve.
Por në Slloveni, partitë e djathta duken të vendosura për të bllokuar anëtarësimin e Kroacisë për në NATO, duke u përpjekur që të rihapin procedurat e ratifikimit në Kuvend. E nëse një gjë e tillë nuk do të ndodhë, sërish këto parti do të lëvizin, duke kërkuar që të jetë populli që të vendosë përmes referendumit.
Kjo do të shtynte anëtarësimin e Kroacisë në NATO e me shumë gjasa do dëmtonte dhe anëtarësimin tonë, për shkak se vendet e NATO-s nuk duket se do jenë të gatshme të pranojnë Shqipërinë dhe të lënë jashtë Kroacinë dhe Maqedoninë.
Radio Evropa e Lirë paralajmëronte se ballkanizimi i procesit të integrimit të vendeve të gadishullit tonë po bëhet i rrezikshëm. Fillimisht ishte Maqedonia që ra pre e kësaj metode. Greqia bllokoi anëtarësimin e saj në NATO për shkak të emrit.
Por, kur pritej që Shqipëria dhe Kroacia të mos kishin probleme me ratifikimet, u shfaq rasti i Sllovenisë. Fillimisht u shty ratifikimi në parlament, e më pas u shfaqën të tjera variante të bllokimit të Kroacisë.
Ritmi i ratifikimeve ka qenë i shpejtë, për shkak se NATO e ka bërë të qartë se dëshiron anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në prill të këtij viti.
Si gjithmonë ky fakt është keqpërdorur nga politikanët shqiptarë, që këtë ratifikim të shpejtë nxitojnë t’ia veshin aftësive të tyre diplomatike.