Nënë Jovanka qetëson Damirin në Tiranë
I dashur Damir!
U gëzova që kishe qëndruar në Tiranë. Më the dje në telefon që do nisesh me charter dhe u bëra merak. Harrova që e ke zakon që ti të gënjen në telefon, se ke hall se të përgjohet. U gëzova që të pashë në Tiranë prapë. Të dha televizori të qeshur dhe të sigurt. U qetësova shumë, se gjithë natën kam parë ëndrra të këqija. Se goditi dhe keq sot kjo dita që është pavarësia e Kosovës. Ti e di që ne serbët kemi problem me ta, por unë kam ndryshuar mendim, që kur ke shkuar ti në Tiranë. Fakti që ty të kanë pritur krahëhapur dhe të kanë mbështetur, më ka ndryshuar mendimin për shqiptarët. Çfarë s’më kishin thënë për ta. Jo janë antiserbë, jo duan të na pjekin të gjallë në hell. Dhe për këtë Berishën kisha dëgjuar që ishte antiserb. Po ti më qetësove. Jo vetëm se të mbështeti ty, po s’ka lënë serb pa mbështetur. Ai ka merita të mëdha për ne serbët, se është kryeministri i parë shqiptar që i ka hapur dyert biznesit serb në Shqipëri. Bravo i qoftë! Nuk ka pyetur as për bindje politike, as për ndasi etnike. E ka treguar sidomos me ty dhe Lazareviçin. Aty duket që është serioz. Se mirë me ty se djalë i ri, por Lazareviçi është shumë i njohur. Ka qenë kryetar partie në Mal të Zi pro Millosheviçit. Më thoshte kushëriri gjithmonë, ai Jovica Stanishiç, që ka qenë në shërbimin sekret të Millosheviçit. Në Mal të Zi vetëm Lazareviçin kemi, thoshte, që është pro Serbisë. Atë Gjukanoviçin nuk e duronte dot. Është kontrabandist dhe antiserb, thoshte. Do ta ketë Malin e Zi pronë private. S’pyet për ideale. Ndaj të thashë që atëherë, lidhu me Lazareviçin, se është dora jonë. Ja ku të doli për mbarë. Aty ma ka mbushur mendjen Berisha që është burrë shteti. As ka pyetur fare që është malazez proserb, por i ka dhënë gjithë tenderët e energjisë elektrike. S’i thonë pak, 130 milionë dollarë. Aty ka treguar që ka shtet ligjor dhe liri ekonomike. Po të ishte Fatos Nano, asnjë cent s’të jepte. Le të ishte ortodoks, as që pyeste për ne. Ndihmonte nga pak grekët dhe shikonte punët e veta. Ky duket që është i hapur me ne.
Të them të drejtën, kur futët “Lukoil”-in rus me atë firmën sllovene, u tremba. Epo thashë, gjithë ata emra serbësh pronarë dhe ç’të jetë ai kryeministër, do plasë kur t’i shohë. U çudita. Asnjë llaf nuk tha. Dhe tokat që bletë në bregdet për llogari të rusëve, as që i mori vesh njeri fare. Futën pak hundët ata amerikanët, po ju u treguat të shkathët. U ndihmon dhe ajo Argita. Ju bë fat ajo vajzë.
Nuk e di si ke shkuar me prokurorët, por jam e qetë, se je në duar të sigurta. Bëre mirë që nuk lëvize, se kudo që të vesh, më i sigurt se në Tiranë s’je asgjëkundi. Aty ke të paktën kryeministrin që të mbron. S’ke ku shkon gjetkë. Në Serbi ti e di që këta të rinjtë na kanë inat ne Stanishiçët, se thonë keni bashkëpunuar me Millosheviçin. Por, dhe po vajte atje, do shash Kosovën. Po shave Kosovën, do kesh telashe në Shqipëri. Jo nga qeveria, po nga njerëzit. ǒtë duhet, je mirë aty. Se kanë dhe këtë festën tani ata. Dhe Lazareviçi është mirë të mos dalë shpesh në Shqipëri. E njeh dhe ai Berishën, se ka qenë në parlament atëherë më ‘94-’95, kur u bë ajo marrëveshja e fshehtë që të futej nafta nga Shqipëria. Që atëherë i hipi qejfi të merrej me naftë Lazareviçit. Dhe më thoshte gjithmonë: “Paratë që kam bërë atëherë me Berishën, s’bëhen më.” Ndaj e ka fiksim që u lidh me “Lukoil”-in rus dhe e solli në Tiranë me ty. E ka fiksim që aty bëhet pará me naftë. I ka mbetur që atëherë.
Por as nga prokurorët mos u shqetëso. Se dhe ata njerëz janë, s’kanë ç’bëjnë. Më kanë thënë që këta dy të tutë janë të rinj dhe s’kanë qenë komunistë. Por më thanë që kryeministri po kërkon te të afërmit e vet. Një komunist do ta kenë pas në fis ata. Ama po e gjeti, s’kanë ku shkojnë. Ua tregon ai qejfin pastaj, rri i qetë ti. Ky na doli kryeministri më i mirë për ne serbët. Kurrë s’na kishte shkuar mendja të bënim biznes në Tiranë si me këtë. Ne kemi tani gjithë tenderët publikë në Shqipëri. Rrugën Vlorë-Levan ne, rrugën Levan-Tepelenë ne, kompjuterët e Ministrisë së Arsimit ne, energjinë elektrike ne. E ç’duam më shumë ne serbët nga Shqipëria se kaq. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ai ka rrezikuar shumë për ne si komb. Dhe ti s’duhet t’ia harrosh kurrë.
Në fund desha të të them diçka dhe për Bashën. Më thanë që je mërzitur me të, se s’keni ndarë mirë lekët me kunatin. Të keqen nëna, mos u zini për pará se keni plot. Përpiquni t’i ndani në rregull, se sherri nuk është gjë e mirë. Lulzimi është djalë i mirë dhe do na duhet në të ardhmen.
Të përqafoj nga larg,
Jovanka Stanishiç (Fazlliç)