Bota 2010
Kastro vdes. Përmirësohen marrëdhëniet e SHBA-së me Kubën
Fidel Kastro ka vite që është i sëmurë dhe i paaftë për ta drejtuar me kohë të plotë Kubën. Ka shumë shanse që viti i ardhshëm të jetë edhe viti përmbyllës i jetës së tij. Në një rast të tillë, kontrolli i ishullit komunist do t‘i kalonte menjëherë vëllait, Raul Kastro, i cili aktualisht po qeveris në këmbë të Fidelit. Tranzicioni pritet që të jetë paqësor. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e kubanëve janë të pakënaqur me mënyrën se si po qeveriset vendi, megjithatë ata nuk janë për një hedhje poshtë në mënyrë të menjëhershme të sistemit socialist. Sigurisht që Kuba nuk do të ndryshojë brenda natës, por ikja e Fidelit do të bëjë që doktrina që lidhet me emrin e tij (liria e shtypit, shtrëngimi i emigrimit, kulti i personalitetit, apo shtypja e homoseksualëve) do të rishqyrtohen me qëllim ndryshimin. Për më tepër Raul, duke parë mundësinë e përmirësimit të marrëdhënieve ekonomike me SHBA-në, do të pakësojë retorikën antiamerikane të qeverisë. Administrata e Obamës do të dërgojë një delegacion të Departamentit të Shtetit. Ndoshta brenda vitit të ardhshëm edhe vetë Sekretarja e Shtetit, Klinton, do të shpallë një plan për normalizimin e marrëdhënieve me Kubën.
Krizë e re financiare në Europë?
Pas krizës bankare të vitit 2008 dhe recesionit që pasoi në vitin 2009, në vitin 2010 ka të ngjarë që të shohim fazën e dytë të një kaosi ekonomik. Këtë herë bëhet fjalë për krizën në financat publike. Trazirat ka shumë mundësi që të jenë më akute në Europë. Deficitet e shumë qeverive janë fryrë dhe kanë dalë jashtë kontrollit, duke kaluar mbi 12% të Prodhimit Kombëtar Bruto në vende si Spanja, Irlanda dhe Britania e Madhe. Ndërkaq, në vitin 2014 pritet që borxhet e qeverive të prekin të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Këtë dhjetor tregu grek pësoi një kolaps dhe një goditje, për shkak të shqetësimeve në lidhje me aftësinë e qeverisë për të financuar deficitin e saj të jashtëzakonshëm. Për shkak se një pjesë e madhe e vendeve të BE-së përdorin euron si monedhë të përbashkët, ato nuk mund ta financojnë borxhin, duke printuar para apo përmes zhvleftësimit të monedhës së tyre për t‘i bërë eksportet më konkurruese. Në më të mirën e rasteve, kriza do të vonojë rimarrjen e ekonomive në Spanjë, vend që ka rritur taksat, edhe pse papunësia e ka kaluar 20%, ose në Irlandë ku janë ulur pagat e punonjësve të administratës publike nga 5% deri në 20%, pavarësisht shtimit të shpenzimeve të konsumatorëve. Ndërsa në rastin më të keq, vendet e mësipërme mund të përballen me rritjen e përqindjeve të interesit, probleme të rifinancimit të borxhit të tyre dhe së fundi falimentimi, diçka që nuk ka ndodhur në Europën e zhvilluar që nga viti 1948.
Fitore si e Pirros për konservatorët britanikë
Konservatorët kryesojnë në sondazhe ndaj laburistëve dhe ndoshta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në maj mund të mos fitojë shumicën absolute. Ndoshta në këto rrethana kjo parti mund të detyrohet që të bëjë koalicion me liberal-demokratët dhe të jetë e dobët në qeverisje dhe për marrjen e vendimeve drastike për daljen nga recesioni. Në ekonominë britanike, konfidenca e tregut të brendshëm ka rënë ndjeshëm dhe sterlina ka pësuar një rënie të ndjeshme. Ekonomia renditet ndër të fundit në vendet e Bashkimit Europian.
Brazili është Kina e re
Sigurisht që Brazili ka marrë vlerësime shumë të larta nga analistët dhe investitorët e huaj, ekonomistët dhe vetë Komiteti Ndërkombëtar Olimpik që përzgjodhi Rio de Zhaneiron për organizimin e Lojërave të vitit 2016. Por, ndërsa jemi në prag të vitit 2010, distanca mes Brazilit dhe pjesës së mbetur të vendeve të ashtuquajtura grupi BRIC (Brazil, Rusi, Indi, Kinë) do të vazhdojë të rritet. Rusia prej kohësh ndodhet në fund të listës, ndërsa tendencat autoritare të Putinit po bëhen gjithnjë e më të dukshme, çka ka çuar në trembjen e investitorëve të huaj. India është ende duke u fuqizuar dukshëm dhe vazhdimisht, por ndodhet e rrethuar nga vende shumë problematike dhe të pastabilizuara. Kina, sigurisht, është në pozicion të favorshëm, por po përballet me një numër rreziqesh, si problemi i kredive të ndërtimit, protestat etnike apo katastrofa e ambientit. Për Brazilin po ndodh krejt e kundërta. Ekonomia pritet të rritet me 8% në vitin 2010. Shfrytëzimi i fushave të reja të naftës, më të mëdhatë në hemisferën perëndimore gjatë 3 dhjetëvjeçarëve të fundit, do të shtojë vendet e punës, do të rrisë mirëqenien, si dhe do t‘i japë Brazilit pavarësi energjetike. Projektet e reja të infrastrukturës parashikohen për Lojërat e ardhshme Olimpike.
Irani bërthamor
Protestat vazhdojnë nëpër rrugët e Teheranit kundër lidershipit e kryesisht kundër Presidentit të vendit Ahmadinexhad, por kritikat duket se e kanë ashpërsuar edhe më qëndrimin e liderëve qeverisës. Rojat revolucionare po e shtrijnë përditë e më tepër pushtetin e tyre ekonomik dhe politik, duke burgosur disidentë dhe duke privatizuar ndërmarrjet shtetërore me çmime qesharake. Atmosfera është bërë shumë e rëndë dhe zor se ka vend për diplomaci e marrëveshje. Nëse do të gjendet ndonjë vend tjetër i pasurimit të uraniumit, atëherë Shteteve të Bashkuara nuk do t‘u mbetet gjë tjetër veçse të vendosin sanksionet dhe këtë herë ndoshta as Kina, as India nuk do të kenë më justifikime për të thënë. Sanksionet mund të jenë shkatërrimtare për një vend, importet e të cilit janë jetike për ekonominë. Si gjithmonë të varfrit do të jenë ata që do të vuajnë më shumë.
Racizmi në Europë
Çështja e racizmit dhe emigrantëve në Europë mori një kthesë të pakëndshme këtë vit me përfundimin e referendumit zviceran për ndalimin e ndërtimit të minareve të xhamive në vend. Një tjetër lëvizje ishte edhe ajo e vënies në diskutim të përdorimit të shamisë së kokës nga myslimanet në Francë, si dhe sjellje të tjera paragjykuese. Gjatë vitit 2010, Franca do të jetë veçanërisht në qendër të vëmendjes. Në mars janë zgjedhjet lokale dhe ndoshta mund të ketë sërish revolta në periferi, ku banojnë më së shumti emigrantët. Sarkozi po flet ndërkohë për rritjen e masave të sigurisë në qytete dhe ka hapur debatin për identitetin kombëtar. Pas votës zvicerane për ndalimin e minareve, Sarkozi shprehu simpatinë e tij për këtë vendim. Për shumëkënd ky veprim duket si cinik për të fituar vota. Ndërsa shumëkush, veçanërisht banorët e periferive, mund të çuditen se ku përfunduan premtimet e Sarkozisë për t‘u dhënë fund vuajtjeve të tyre dhe për t‘ua ndryshuar jetën për mirë. Edhe para recesionit, një e treta e emigrantëve ka jetuar në kushte varfërie dhe shkalla e papunësisë te këto shtresa ka qenë 42%. Partitë e opozitës si socialistët po thonë se i ashtuquajturi "Plani Marshall i Sarkozisë" për këto zona të braktisura ka dështuar.
Çavez mund të përballet me vështirësi të tjera
Ekonomia botërore dhe kërkesa për karburante e lëndë djegëse gjatë këtij dhjetëvjeçari ka qenë një nga armët e forta të liderit të Venezuelës, Çavez. Por, recesioni bëri që kjo kërkesë të bjerë ndjeshëm dhe tani beteja e tij për shndërrimin e Amerikës Latine në një kontinent socialist po dështon ditë pas dite. Qeveria është duke bërë shpenzime të jashtëzakonshme, ndërsa çmimet e karburanteve kanë rënë. Këto kanë bërë që çmimet të rriten këtë vit në masën 30% në vend dhe në vitin e ardhshëm do të rriten edhe më. Inflacioni bie rëndë, veçanërisht në pagat e vogla dhe te të varfrit. Çavez ka përgjysmuar shpenzimet publike dhe investimet e domosdoshme në infrastrukturë. Ndërsa situata përkeqësohet, rritet ndjeshëm edhe borxhi i qeverisë dhe lufta e ftohtë me Kolumbinë fqinje, që është partneri më i madh tregtar i Venezuelës, i cili ka shkaktuar pasoja rrënimtare për ekonominë e vendit. Në këtë situatë, Çavez i shpalli luftë larjes në dush përditë, pasi sipas tij, ky është një "ves i keq i borgjezisë". Privatizimet kanë shkaktuar një situatë frike me rritjen e krimit të organizuar dhe atij shtetëror. Karaklasi është qyteti më i dhunshëm i hemisferës. Ata që votuan për Çavezin vite më parë, duke e konsideruar shpëtimtarin e tyre, po e shohin se sa keq janë zhgënjyer dhe mashtruar nga dikush që doli krejt ndryshe nga sa besuan.
Një tjetër trazirë në Pakistan
I gjithë Perëndimi e ka pasur vëmendjen këta muaj te lideri i Afganistanit, Karzai, dhe qeverisja e tij shumë e dobët e vendit, veçanërisht pas zgjedhjeve presidenciale. Kjo ka bërë që t‘i jepet shumë pak vëmendje rrënimit të një tjetër qeverie në Pakistanin fqinj, asaj të Zardarit, Presidentit të Pakistanit. Karzai të paktën ishte në pushtet që nga viti 2001, ndërsa Zardari erdhi në pushtet një vit më parë. Tani po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të parashikosh një skenar në të cilin Zardari është sërish President i Pakistanit deri në vitin 2010. Ai nuk ka më mbështetje popullore dhe është krejtësisht i paaftë që ta kontrollojë qeverinë. Të gjithë zyrtarët më të lartë të vendit i janë kundërvënë pushtetit të tij, sepse ai nuk arrin që të bindë askënd për politikat e tij.
Kriza e Kinës
Është bërë tashmë e zakonshme të dëgjosh frazën se Kina është shndërruar në një lojtare globale të krizës financiare botërore. Në fund të fundit ajo ende ka një rritje ekonomike vjetore me 8%, është politikisht e stabilizuar dhe ka kesh. Kinezët nuk e ndiejnë krizën me trilionat e dollarëve në bankat e tyre. Por gjithë këto para mund të sjellin një krizë ndërtimesh dhe të tregut të shtëpive. Gjithashtu, në këtë vend po shtohet numri i firmave financiare që luajnë rrezikshëm në tregun vendas e të huaj dhe kjo mund të çojë në një trazim të situatës shumë shpejt. Nëse kjo do të ndodhë paralel me krizën aktuale botërore, luftën tregtare dhe ngadalësimin e rritjes ekonomike të Kinës, atëherë edhe në botë situata do të bëhet më e vështirë.