E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në anën e Europës

Aleanca mes SHBA-së dhe Europës për gjashtë dekada ka sjellë paqe dhe përparim. Por, tani institucionet kryesore të Europës për siguri, të cilat kanë formësuar aleancën tonë, duhet të rifreskohen - e në një masë të caktuar edhe të përpunohen. Ato ishin të afta të zgjidhin problemet e shekullit të 20-të. Sot ne përballemi me kërcënime të reja, si lufta kibernetike, terrorizmi global, ndërprerja e furnizimit me energji, ndryshimet klimatike dhe rrjetet globale të krimit, të cilat trafikojnë drogë, armatim dhe qenie njerëzore. Bota ka ndryshuar. Institucionet, të cilat garantojnë sigurinë dhe mirëqenien e Europës, duhet të ndryshojnë gjithashtu.

Mënyra e re e të menduarit po duket në horizont në të dy anët e Atlantikut. NATO-ja po e përpunon strategjinë e saj. Rusia ka propozuar një marrëveshje të re për sigurinë në Europë, si dhe një aleancë të re mes Rusisë dhe NATO-s. Edhe SHBA-ja është duke menduar për atë se si mund të forcohet dhe zgjerohet siguria e Europës. Ne me të gjitha shtetet po kërkojmë negociatat për idetë për atë se si mund të garantohet siguria për Europën në këtë epokë të re.

Me këtë rast do t’u qëndrojmë besnik parimeve tona thelbësore, të cilat pasqyrojnë angazhimin tonë për sigurinë e Europës, si dhe rolin tonë për forcimin dhe ruajtjen e sigurisë.

Parimi i parë: respektimi i sovranitetit dhe i integritetit territorial të të gjitha shteteve. Një pjesë e madhe e vuajtjeve, të cilat i përjetoi Europa në shekullin e kaluar, ndodhën për shkak se u cenuan kufijtë dhe për shkak se shtetet u penguan të udhëheqin politikën e tyre të pavarur të jashtme. Ne kundërshtojmë zonat e ndikimit, në të cilat një shtet synon të kontrollojë një shtet tjetër.

Në veçanti mbështesim të drejtën e shteteve që të zgjedhin në mënyrë të lirë aleancat - një parim të cilin Rusia dhe shtetet anëtare të OSBE-së e kanë miratuar gjatë samitit në Stamboll në vitin 1999. Ne besojmë se zgjerimi i NATO-s dhe i BE-së kanë forcuar stabilitetin dhe përparimin në tërë kontinentin - edhe në Rusi. Kufijtë perëndimorë të Rusisë janë sot më stabilë dhe më të sigurt se asnjëherë më parë në histori.

Parimi ynë i dytë: siguria e Europës është e pandashme. Shpesh diskutimet për sigurinë e Europës ndërlidhen me faktorin gjeografik dhe politik - me Lindjen dhe Perëndimin, me NATO-n dhe shtetet jashtë saj, me shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet, të cilat ende nuk janë anëtare të Unionit. Por, në realitet, nuk ekzistojnë shumë - vetëm një Europë.

Pandashmëria e sigurisë është një nga elementet qendrore të propozimeve për reforma, të cilat i ka bërë së fundi Rusia. Ne mbështesim synimin, por jo edhe qasjen e rusëve. Për ne zgjidhja më e mirë është forcimi i institucioneve ekzistuese, si OSBE-ja dhe këshilli NATO-Rusi, e jo nënshkrimi i marrëveshjeve të reja, siç ka propozuar Rusia.

Së treti, qëndrojmë prapa premtimit, i cili është formuluar në nenin pesë të marrëveshjes së NATO-s: sulmi kundër një anëtari të Aleancës është sulm kundër të gjithë anëtarëve të Aleancës. Ne edhe më tutje do të stacionojmë forca në Europë për të frenuar sulmuesit dhe për të reaguar me shpejtësi në rast të sulmeve të mundshme.

Ne e kemi seriozisht edhe me propozimin tonë për të zhvilluar së bashku me Rusinë një sistem të mbrojtjes raketore, i cili do të përmirësonte sigurinë e gjithë Europës.

Jetojmë në një epokë të ndërlidhjes dhe një kërcënim në ndonjë shtet me shpejtësi mund të shndërrohet në një krizë rajonale apo globale. Siguria e Europës varet nga komunikimi i hapur. SHBA-ja mbështet shkëmbimin e informatave në lidhje me aktivitetet ushtarake.
Për këtë arsye duhet t’i kushtojmë vëmendje Marrëveshjes për Forcat Konvencionale në Europë (FKE). Për 20 vjet më radhë, FKE ka qenë shtyllë e kontrollit të armatimit konvencional, e transparencës dhe e vendosjes së besimit.

Por, tani marrëveshja po kërcënon të shembet. Përderisa SHBA-ja dhe aleatet e saj ende ofrojnë informata për forcat e tyre, Rusia para dy viteve ka ndërprerë bashkëpunimin. Tragjedia e luftës mes Rusisë dhe Gjeorgjisë ishte një pengesë tjetër shtesë. Ne duhet të ringjallim negociatat tona me aleatët tanë, me Rusinë dhe me nënshkruesit tjerë të marrëveshjes.

Se pesti, njerëzit kudo në botë kanë të drejtë të jetojnë pa frikë nga shkatërrimi bërthamor. Vitin e kaluar, presidenti Obama shpalosi në Pragë vizionin e tij për një botë pa armë bërthamore. Por, për aq kohë sa të ekzistojnë këto armë, SHBA-ja do të mbajë një arsenal të sigurt dhe efektiv, për të frikësuar kundërshtarët e mundshëm dhe do të kujdeset edhe për sigurinë e aleatëve tanë. Ne nuk do të kursejmë mundin për të pamundësuar zgjerimin e armëve bërthamore. Dhe së bashku me aleatët tanë europianë do të vazhdojmë përpjekjet për t’i pamundësuar Iranit sigurimin e bombës.

Parimi i gjashtë: siguria e vërtetë nuk parasheh vetëm marrëdhënie paqësore mes shteteve, por edhe të drejtat dhe mundësitë për qytetarët e tyre. Shtetet e sigurta u mundësojnë qytetarëve të zgjedhin në mënyrë të lirë udhëheqësit e tyre, që të shprehim në mënyrë të lirë qëndrimet dhe të përfshihen në shoqërinë civile. Ato krijojnë kushtet që qytetarët të jetojnë në një ambient më të pastër, të edukohen, të punojnë, të kenë mundësi të krijojnë familje, të udhëtojnë të lirë.

Zhvillimi, demokracia dhe të drejtat e njeriut krijojnë një qark, i cili forcohet vetë. Nëse qarku ndërpritet, atëherë një shtet nuk është më i sigurt.

Përmirësimi i sigurisë dhe i stabilitetit të Europës është një element i rëndësishëm i politikës së jashtme të SHBA-së dhe pasqyron njëkohësisht edhe vlerat tona. Ne jemi në anën e Europës, siç kemi qenë për dekada të tëra, ngase marrëdhëniet ekzistuese lidhin shtetet dhe popujt tanë.
Të drejtuar nga parimet dhe historia jonë e përbashkët, Europa dhe SHBA-ja janë të vendosura të ripërtërijmë aleancën tonë në epokën e re, për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Europë, si tani ashtu edhe në të ardhmen.

(Suddeutsche Zeitung)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›