E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani i gatshëm për kompromis?

Kryesuesi i agjencisë bërthamore të Iranit ka theksuar se Teherani nuk do të pasurojë uranium në nivel më të lartë, nëse perëndimi e furnizon me karburante, i cili Iranit i nevojitet për një reaktor hulumtues.

Irani filloi sot procesin e pasurimit të uraniumit në nivelin 20 për qind, hap ky i cili do të hidhërojë edhe më shumë perëndimin, i cili frikësohet se procesi i pasurimit të uraniumit në fund do të rezultojë me prodhimin e materialit për bombë bërthamore.

Ali Salehi theksoi se procesi i pasurimit të uraniumit do të jetë i panevojshëm, nëse perëndimi e gjen një rrugë për të furnizuar Iranin me karburantin që i nevojitet.

“Në momentin kur të na furnizojnë me karburante, ne do të ndalim procesin e pasurimit në nivelin 20 për qind”, deklaroi Salehi për televizionin shtetëror të Iranit.

Uraniumi i pasuruar deri në nivelin prej 90 për qind mund të shfrytëzohet për prodhimin e armëve bërthamore.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Ramin Mehmanparast, theksoi sot se procesi i pasurimit të uraniumit do të bëhet në bashkëpunim dhe nën mbikëqyrjen e agjencisë bërthamore të OKB-së.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›