Tymoshenko konteston fitoren e Janukovicit
Kryeministrja e Ukrainës, Yulia Tymoshenko, nuk e ka pranuar fitoren e udhëheqësit të opozitës, Viktor Janukovic, në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë dhe planifikon që të sfidojë në mënyrë ligjore rezultatin, kanë njoftuar sot mediet ruse dhe ukrainase.
Tymoshenko i ka thënë zyrtarëve të partisë së saj se nuk do të pranojë kurrë legjitimitetin e rrethit të dytë të zgjedhjeve, njoftoi agjencia ruse e lajmeve, Itarr-Tass.
Në raport u theksua Tymoshenko ka kërkuar nga avokatët e saj që të përgatisin kontestimin ligjor të rezultatit dhe se planifikon të kërkojë rrethin e tretë të votimit.
Janukovic është duke kryesuar me një epërsi prej 3.2 për qind, pas numërimit të gati të të gjitha votave.
Për dallim nga zgjedhjet e kaluara në Ukrainë, vëzhguesit ndërkombëtarë zgjedhjet e fundit i kanë cilësuar si të lira dhe korrekte.
Fushata e Tymoshenkos nuk pranoi të komentojë raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë, por aleatët e saj theksuan se janë duke u bërë gati për të sfiduar rezultatin.
“Është marrë vendimi për të sfiduar rezultatin në disa qendra individuale të votimit dhe për të kërkuar rinumërimin e votave në këto qendra”, theksoi Yelena Shustik, zyrtare në partinë e Tymoshenkos.