E Diel, 1 Nëntor 2026

Kim Jong Il “premton” denuklearizimin e Gadishullit të Koresë

Udhëheqësi i Koresë së Veriut ka premtuar sërish se do të largojë armët bërthamore nga Gadishulli i Koresë, është theksuar në një raport të sotëm, në momentin kur ai e ka dërguar përfaqësuesin e vet kryesor bërthamor në Pekin, hap ky i cili mund të shkojë në favor të negociatave të bllokuara gjashtë-paleshe.

Përderisa Kim Jong Il ka bërë dhe nuk ka përmbushur premtime të ngjashme edhe në të kaluarën, analistët kanë theksuar se trysnia ndaj tij ka filluar të shtohet, për shkak të sanksioneve të vendosura kundër regjimit të tij nga ana e OKB-së, pas testit bërthamor që zhvilloi Pheniani në maj të vitit të kaluar.

Agjencia kineze e lajmeve, Xinhua, theksoi se Kim ka ripërsëritur synimin e vendit të tij për denuklearizimin e Gadishullit të Koresë, gjatë takimit që zhvilloi të hënën me zyrtarin e lartë kinez, Vang Jiarui.

Negociatori kryesor bërthamor i Koresë së Veriut, Kim Kye Gvan, shkoi sot në Pekin, duke sugjeruar rifillimin e mundshëm të negociatave të bllokuara bërthamore, në të cilat janë të përfshira dy Koretë, Kina, SHBA-ja, Rusia dhe Japonia.

“Shkuarja e Gvanit në Pekin lë të kuptojë se është arritur një mirëkuptim i caktuar mes Kinës dhe Phenianit për rifillimin e negociatave”, deklaroi analisti jug-korean, Cheong Seong Chang.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›