Përforcohen tinëz

Edhe pse sezoni vjeshtor ka përfunduar, thuajse nuk ka pushim fare për udhëheqësit e skuadrave të Superligës, posaçërisht për ato që e synojnë titullin e kampionit, siç janë: Prishtina, Drita, Trepça ’89, Vëllaznimi e Hysi.
Me të përfunduar pjesa e parë e kampionatit, udhëheqësit e këtyre skuadrave janë hedhur në aksion për të transferuar përforcime të reja në ekipet e tyre. Mirëpo, krerët e klubeve – shkaku i dy arsyeve - vazhdimisht po mundohen që ‘fshehurazi’ të përforcohen me lojtarë.
Arsyeja e parë është se njëri klub, i cili është në proces të transferimit të një futbollisti, nuk e bën publik emrin e tij para se të nënshkruajë kontratë nga frika se ndonjë klub tjetër rival shpejt mund t’ia rrëmbejë nga duart atë futbollist.
Rasti i fundit ishte ai i sulmuesit Berat Hyseni, i cili vetëm një ditë pasi kishte arritur marrëveshje me Vëllaznimin, ishte ‘rrëmbyer’ nga Trepça ’89. Por, rast thuajse i njëjtë ishte edhe ai i Semir Zenelit, i cili ishte në prag të transferimit në Prishtinë, por në fund u ‘rrëmbye’ nga Drenica.
Ndërsa, sipas drejtuesve të klubeve, arsyeja tjetër që i detyron ata ta mbajnë të fshehtë interesimin për një futbollist është se këta të fundit po e rrisin në mënyrë drastike çmimin kur po e kuptojnë se po kërkohen nga 2-3 klube.
“Këto janë dy arsyet kryesore. Posa e kërkojmë një futbollist, menjëherë ndërhyn edhe një klub tjetër, me ç’rast futbollisti e rrit çmimin dhe dështon transferimi. Rasti i fundit ishte me Berat Hysenin, i cili arriti marrëveshje me ne, por në fund shkoi në Trepçën ‘89”, deklaroi për Express menaxheri i Vëllaznimit, Ahmet Morina.
Njëjtë shprehet edhe drejtori ekzekutiv i kampionit në fuqi - Hysit, Afrim Macula. “Po, ato janë arsyet kryesore. Kam vërejtur se kur Hysi kërkon një lojtar, menjëherë ai lojtar kërkohet edhe nga klubet tjera, edhe nëse kualitetet e tij nuk janë aq të mëdha. Kështu po ndryshon pastaj edhe çmimi”, tha Macula.
Udhëheqësit e Prishtinës thonë se skuadrat tjera ndoshta kanë të drejtë që përforcohen fshehurazi me lojtarë, shkaku i atyre dy arsyeve. Por, ata thonë se nuk veprojnë sikurse klubet tjera.
“Nuk e di për klubet tjera dhe ndoshta ato kanë të drejtë, sepse për shembull: Prishtina e kërkon një lojtar. Posa kërkohet ai lojtar nga një klub tjetër, ai e rrit çmimin me arsyetimin se po kërkohem nga Prishtina. Mirëpo, si Prishtinë jemi shumë transparentë. Kemi treguar se jemi në bisedime me Leart Eminin, Semir Zenelin e Driton Krasniqin. Madje, ne kemi tregu edhe kujt i kanë skaduar kontratat, ani pse ata lojtarë mund të kalojnë në klube tjera”, deklaroi drejtori sportiv i bardhekaltërve, Ramiz Krasniqi.
Afati kalimtar i futbollistëve zyrtarisht pritet të fillojë më 20 janar, derisa pritet të përfundojë më 15 shkurt. Megjithëkëtë, klubet tashmë kanë nisur t’i sigurojnë shërbimet e futbollistëve.