E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në arkën e AKP-së derdhen mbi 4.5 milionë euro

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) në valën e 42 të privatizimit ka nxjerrë në shitje 16 ndërmarrje, ndërsa oferta më e lartë është ofruar për ndërmarrjen Auto Motot Start, e cila është shitur për 1.777.777 euro.
Risi gjatë kësaj vale ka qenë që për herë të parë ka filluar privatizimi i disa ndërmarrjeve në Shtërpce dhe në Brezovicë.

Arlind Limani, zyrtar ekzekutiv në AKP, ka thënë të mërkurën se deri në janar të këtij viti janë privatizuar 525 ndërmarrje. Po ashtu ai ka përmendur edhe procesin e shpërndarjes së 20 përqindëshit për punëtorët, ku rreth 3 milionë euro janë shpërndarë për 9 ndërmarrje të privatizuara.

Ndërsa nga fondi i privatizimit punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore deri më tani iu janë shpërndarë mbi 23 milionë euro. Ndërmarrja e re Auto Moto Start është shitur me çmimin më të lartë për 1.777.777 euro, oferta e dytë më e lartë 1.666.666 euro, ndërsa oferta e tretë 1.411.229 euro.

Po ashtu, privatizim të ndërmarrjeve ka pasur edhe në Brezovicë, ku ndërmarrja e re Restorant Kasollja në Brezovicë është shitur për 266.669 euro, oferta e dytë ka qenë 223.950 euro, ndërsa oferta e tretë 222.223 euro.
Ndërsa për ndërmarrjen e re Kafiteria Shtërpce ka qenë vetëm një ofertë prej 70.013 euro.

Në fondin e privatizimit janë shtuar edhe 4 milionë e 652 mijë e 838 euro. /kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›