Në arrati

Ilir Kumbaro
Ky është shkrimi i publikuar nga e përditshmja britanike, Daily Mail, për Ilir Kumbaron, që tani është shpallur në kërkim pasi nuk u paraqit në gjykatë. Daily Mail ka raportuar rregullisht për Kumbaron, duke u kujdesur gjithmonë të mos lejojë komente në shkrimet që botohen për të.
Një ish- shef spiunësh në Shqipëri, i kërkuar për rrëmbim e torturë, u arratis dje pasi nuk u shfaq në një seancë ekstradimi në Londër.
Portet e aeroportet janë njoftuar pasi 58 vjeçari Ilir Kumbaro nuk u shfaq në gjykatën e Uestminstrit, ku ai do përballej me kthimin në vendin e Europës Lindore.
Daili Mail ka mësuar se pavarësisht se Kumbaro shihej si i zgjuar dhe me burime, lirimi i tij me kusht nuk përfshinte veshjen e një sinjalizuesi elektronik.
Në vend të kësaj, pasi njerëzit e tij kishin paguar 10 mijë sterlina, atij i ishte thënë se duhej të raportonte rregullisht në një stacion policie ndërsa jetonte në juglindje të Londrës.
Tre muaj më parë, kjo gazetë zbuloi se Kumbaro kishte qenë në gjendje të kërkonte azil dhe të jetonte në Britani me përfitime sociale për thuajse 15 vite- duke përdorur një identitet fals.
Ish- shefit të shërbimeve sekrete i ishte lejuar qëndrimi në Britani pasi pretendonte se ishte refugjat kosovar, i quajtur Shaqa Shatri, kur mbërriti në gusht të vitit 1996.
Kumbaro, gruaja e tij dhe djali, u vendosën në një apartament social në Fulhem.
Qëndrimi i tij aty do kishte kaluar pa u vënë re në rast se ai në mënyrë idiote nuk do përdorte emrin e tij të vërtetë në kërkim të pagesave për paaftësi.
Dje, Kleir Dobin, duke përfaqësuar qeverinë shqiptare, kërkoi që të lëshohet një urdhër arresti pasi Kumbaro nuk u shfaq në gjykatë.
Gjykatësi tha se garancia prej 10 mijë sterlina tani nuk do ketë vlerë.
Në fillim të këtij viti, Mail mësoi se një nga viktimat e dyshuara të Kumbaros- babai i pesë fëmijëve, Remzi Hoxha- nuk ishte parë i gjallë që nga viti 1995.
Hoxha ishte një nga tre personat që thuhet se janë rrëmbyer dhe torturuar nga Kumbaro.
Biznesmeni po mblidhte para për lëvizjen separatiste kosovare, në përpjekje për tu shkëputur nga Jugosllavia në vitet 90.
Një urdhër arresti ndërkombëtar pretendon se Kumbaro qëllimisht ka shkaktuar dhimbje dhe vuajtje.
Kur Kumbaro arriti në Britani, ai i bindi zyrtarët e emigracionit se ishte refugjat kosovar, që po largohej nga përndjekja serbe.
Atij iu dha një pasaportë britanike e madje mori përfitime duke thënë se vuante nga depresioni dhe stresi post-traumatik për shkak të ngjarjeve në Kosovë.
Por Kumbaro u arrestua në shtator të vitit 2008. Në mars 2009, një gjykatës urdhëroi që të ekstradohej në Shqipëri.
Megjithatë, urdhër- arrestit të tij i kishte kaluar data, ndaj Kumbaro apeloi. Në gusht të vitit të shkuar ai u ri-arrestua kur të tjera dokumente mbërritën nga Shqipëria.