E Diel, 1 Nëntor 2026

Në ballë po na i fikin cigaret!

Share

Nga Bledi Mane- Public Enemy

facebook.com/bledi.mane

Gjergj Ndreca një ish i dënuar politik i mbetur rrugëve pa rrugëdalje në gjithë këtë zallamahi kombëtare, brenda dy ditësh përfundoi sërish në birucën numër dy të rajonit policor numër një sepse dhunoi për herë të dytë një qytetar.

Në fakt agresori Ndreca nuk i zgjedh dosido viktimat e tij, por pasi ua ka studiuar mirë e mirë biografitë, ua gjen një arsye të fortë para se tu gjuajë me shpulla e grushta.

I pari ishte politikani i karrierës së PD-së Ilir Rusmali ndërsa i dyti ish hetuesi tashmë avokati Agim Tirana.

Arsyet e atakimeve kanë qenë tepër të forta dhe sipas shpjegimeve të të arrestuarit, lidhen përgjithësisht me revanshin dhe hakmarrjen e akumuluar të vuajtjeve ndër dekada të Gjergj Ndrecës.

Ndërkohë sot dy miqtë e Ndrecës dëshmuan për gazetën e përditshme “Shekulli” se “Agim Tirana ka qenë ish-hetues në kohën kur Gjergji është dënuar për agjitacion e propagandë dhe ai u ka rrëfyer se  zoti Tirana e ka djegur me cigare në fytyrë gjatë hetimeve në periudhën e komunizmit”…

Shumë paska duruar shqiptari Ndreca. Më shumë se 30 vjet e ja ku shpërtheu tani. I dhunuar, i përçudnuar, i djegur, i përvëluar, pa bukë e pa liri priti si tigri i egërsuar prehën e tij. Nuk mund të priste më gjatë sepse djegiet me cigare në fytyrë ende i përcëllojnë por më tepër i përvëlon çburrërimi dhe poshtërimi.

Fytyra e Ndrecës nuk ka shumë ndryshim nga fytyrat e ne shqiptarëve më të rinj e më të ushqyer.

Ndreca mos të qahet sepse vetëm djegiet e cigareve të Agim Tiranës i janë shenjuar.

Ne, neve shqiptarëve të gjeneratës high-tech na fik çdo ditë në surrat cigaren e padrejtësive dhe pabarazive Sashenka dhe Shpresa e gjykatave, Iliri çintegruar i Integrimit, Jozefina e çparlamentarizuar  e parlamentarizmit, Vasili i sëmurë i mjekësisë, Nishani i antikrimit të krimosur, kopili hollandez i kryebashkisë, Arbeni antidroga i këqëzësë…

Ne durojmë dhe dhembjen dhe çburrërimin e përsëri falim, por nuk harrojmë. Do shpërthejmë edhe ne porsi Gjergj Ndreca.

Nuk ka rëndësi se ku (para apo mbrapa godinës së parlamentit), rëndësi ka kur dhe si…?

Toleranca jonë po ekzagjerohet. Uroj të mos lejojmë të na e kthejnë fytyrën në një taketuke gjigande ku fiken cigaret e molepsura të regjimit!!!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›