E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, 17 shqiptarë nën hetim për trafik automjetesh

Mjetet motorike “klonoheshin” dhe trafikoheshin në vendin tonë. Dosja e plotë e Prokurorisë së Barit

Prokuroria e Barit, Itali, ka vënë nën hetim 17 shtetas shqiptarë të dyshuar për trafik automjetesh, ndërsa ka kërkuar ndihmë juridike te Ministria e Drejtësisë Shqiptare për procedimin penal me numër 3779/08. Letër-porosia është ekzekutuar disa muaj më parë me urdhër të Gjykatës së Tiranës, ndërsa është urdhëruar prokuroria e kryeqytetit të verifikojë dhe të gjejë materialet plotësuese të 17 shqiptarëve, hyrje-daljet nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe anasjelltas, dokumentet e 11 mjeteve motorike që dyshohet se janë vjedhur dhe “klonuar” në Itali dhe të gjitha dokumentet plotësuese.

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar disa muaj më parë në gjykatë ekzekutimin e letër-porosisë së ardhur nga autoritetet italiane dhe konkretisht Prokuroria e Republikës Italiane pranë Gjykatës së Barit. Kjo prokurori vazhdon hetimet paraprake në kuadër të procedimit penal Nr.3779/08 R.G.Nr.r, për aktet e krimeve në bashkëpunim dhe dërgimin në mënyrë të paligjshme drejt Shqipërisë të mjeteve (autovetura të mëdha, vetura etj) të vjedhura në Itali, kryer nga një organizatë kriminale e përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë. Nga hetimet ka rezultuar se bëhet fjalë për mjete të vjedhura në orë të natës, në brendësi të parkingjeve pranë banesave, duke marrë edhe çelësat e këtyre mjeteve. Pasi vidhen këto mjete, autorët bëjnë ndryshime në telajo, i pajisin me targa false dhe me leje qarkullimi ose me certifikatë pasurie të vjedhura në faqe të bardhë ose me kode mekanografiçi të ndërruar. Këto ndërhyrje të bëra në mjetet i vjedhura, kanë mundësuar qarkullimin e tyre në Itali, duke i vënë ato në emër të shoqërive ose të njerëzve të panjohur dhe duke provuar disa herë për t’iu shmangur kontrolleve të bëra nga forcat e policisë pranë kufirit. Sipas prokurorisë së Barit, shumë nga këto veprime dhe kryesisht dogana e këtyre mjeteve në Bari është realizuar nga shtetasi shqiptar, Frederik Seferi, lindur në Dibër, më datë 24 dhjetor 1974, i njohur ndryshe dhe si Fredi Seferi. Gjithashtu, edhe shtetasi shqiptar, Elton Hasamataj, lindur më 28 mars 1974 në Tiranë, i punësuar në një agjenci detare, ka shërbyer si pikë referimi për organizatën kriminale, duke u siguruar atyre bashkëpunim të plotë.

Pasi mjetet transportoheshin në Shqipëri, dokumentet e mjeteve përsëriteshin edhe njëherë në mënyrë që të sigurohej shitja e këtyre mjeteve ose ato të përdoreshin nga vetë trafikuesit e këtyre mjeteve. Për disa nga këta persona, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka regjistruar procedime penale për veprën penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”, parashikuar nga neni 141/a i K.Penal. Për këtë arsye, në disa raste janë organizuar takime midis prokurorëve shqiptarë dhe autoriteteve italiane, gjatë të cilëve janë bërë edhe shkëmbime informacioni në lidhje me këto procedime. Në kuadër të hetimit nga ana e autoriteteve italiane është kërkuar nga autoritetet shqiptare dhënia e ndihmës juridike në fushën penale. Ministria e Drejtësisë, me shkresën nr. 9241/1, datë 07 dhjetor 2009, i ka dhënë rrugë kërkesës “Për ndihmë juridike”, të autoriteteve italiane të drejtësisë dhe konkretisht Gjykatës së Barit, Itali. Objekt i kësaj letërporosie, është vënia në posedim nga ana e autoriteteve kompetente shqiptare të akteve të cituara në këtë kërkesë, në kuadër të procedimit penal nr.3779/08 R.G.Nr.r të filluar nga Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Barit, për veprën penale të “Trafikimit të mjeteve motorike”, të kryer në formën e organizatës kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe italianë. Veprimet procedurale që kërkoheshin të kryheshin me anë të kësaj letërporosie, janë marrja nga ana e organit procedues shqiptar të dokumenteve origjinale të mjeteve, të cilët janë objekt hetimi i procedimit penal të cituar më sipër.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›