Ivanoviç: Zgjedhjet në Kosovë, teknikisht është e vështirë

Thirrjet kundër organizimit të zgjedhjeve serbe në Kosovë po përsëriten çdo ditë. Serbia megjithatë pritet të marrë një vendim për këtë çështje, gjatë javës së ardhshme. Oliver Ivanoviç thotë se zgjedhjet pa përkrahje ndërkombëtare vështirë se do të kenë sukses. Por ai vlerëson se zgjidhjen për këtë duhet kërkuar në Kushtetutën e Serbisë dhe në Rezolutën 1244.
Kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë ka dalë edhe Zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Philip Reeker. Në një takim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë në Washington, ai ka thënë se zgjedhjet serbe në Kosovë nuk kanë autoritet.
“E kemi shprehur shumë qartë dhe OKB-ja e ka bërë gjithashtu të qartë se mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë jashtë juridiksionit të Kosovës do të nxirrte përfaqësues që nuk do të kishin autoritet”, ka thënë Reeker.
Pavarësisht deklaratave të ndërkombëtarëve, përfaqësuesi i Qeverisë serbe në Kosovë, Oliver Ivanovic thotë se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve ose jo do të merret javën e ardhshme në Beograd. Por, Ivanoviç nuk është shprehur i sigurt nëse votimet serbe mund të mbahen pa mbështetjen e ndërkombëtareve.
“Nuk jam optimist nëse nuk e kemi përkrahjen ndërkombëtare, sepse teknikisht është shumë vështirë të zhvillohen zgjedhjet”, ka thënë Ivanoviç për Express.
Ai ka pohuar se vendimi i autoriteteve serbe do të bazohet në Kushtetutën e Serbisë dhe në Rezolutën 1244. “Vendimi duhet të bazohet në Kushtetutën e Serbisë, së pari, e gjithashtu duhet të merret parasysh edhe Rezoluta 1244. Kuptohet, gjithmonë po e tërheq vërejtjen tek ata që e marrin vendimin, se vendimi i tyre duhet të marrë parasysh edhe çështjet teknike deri diku, sikurse edhe situatën politike. Sepse dihet se pa pas marrëveshje me UNMIK-un, ose me misionet ndërkombëtare në Kosovë, nuk ma merr mendja që kemi mundësi të organizojmë zgjedhje në mënyrë të suksesshme”, ka shtuar Ivanoviç.